Ai ka qenë për dy mandate edhe si Ministër i Punëve të Jashtme në Gjermani. Mandatin e parë nga viti 2005 deri më 2009, kurse mandatin e dytë nga viti 2013 deri më 2017, raporton lajmi.net
Ai gjatë kohës sa e ushtroi detyrën e ministrit të jashtëm ka zhvilluar disa takime me zyrtarët e Kosovës. Duke theksuar këtu dy herë takimet me ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj dhe vizitën e tij që e bëri gjatë muajit prill në vitin 2015 në Kosovë.
Zgjedhja e tij si president i Gjermanisë, mund të cilësohet si lajm i mirë për Kosovën pasi qëndrimet e tij kanë qenë të qarta, duke shprehur përkrahjen e plotë të Gjermanisë për integrimin e Kosovës në Evropë dhe organizatat e tjera të rëndësishme, shkruan lajmi.net
Në takimin e viti 2014 me Enver Hoxhajn, ai pati thënë se angazhimi i shtetit gjerman për Kosovën nuk do të ndalet, duke e mbështetur në rrugën drejt BE-së.
“Ne si qeveri gjermane jemi shumë të angazhuar në Kosovë. Sot sigurova ministrin Hoxhaj që angazhimi ynë në Kosovë nuk do të përfundojë, ne do ta mbështesim rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, pati thënë Steinmeier.
Në prillin e vitit 2015 Steinmeier kishte nisur një vizitë në vendet e Ballkanit, ku qëndroi në Kosovë dhe Serbi.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, tashmë presidenti i ri gjerman ishte takuar me kreytaren e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrin Isa Mustafa, dhe presidentin e tanishëm, Hashim Thaçin.
Edhe në këtë takim ai kishte shprehur përkushtimin e Gjermanisë për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset zhvillimore, por duke kërkuar forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Me mesazh të qartë, Steinmeier pati shkuar në Beograd ku ua kishte bërë me dije liderëve të shtetit të Serbisë, se pa normalizimin e raporteve me Kosovën, shteti serb nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Gjermania është e angazhuar që hapjen e kapitullit 35 të rrugës së integrimit të Serbisë në BE, ta lidh me normalizimin e plotë të marrëdhënieve – dhe implementimin e marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill të vitit 2013”, pati deklaruar për Tanjug, Frank-Walter Stenmeier.
Ai gjatë gjithë kohës, ka insistuar në përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke i cilësuar si tepër të nevojshme për stabilitetin në Rajon.
Menjëherë pas zgjedhjes së tij si President të Gjermanisë, ishin urimet e menjëhershme nga krerët institucional të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kanë uruar atë për postin e fituar, duke shtuar se ky vendim do të thellojë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Gjermanisë. /Lajmi.net/