Ka nisur sot pasdite në Ferizaj manifestimi tashmë tradicional “Ditët e kulturës”, një eveniment i kulturës i cili për disa ditë para ferizajasve do të ofrojë shumë aktivitete kulturore.
Hapja solemne u bë në galerinë e qytetit në Ferizaj ku dashamirët e artit patën rastin që nga afër të shohin një ekspozitë të artit pamor nga qendra kulturore “Asa”nga Tirana.
Me këtë rast drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili bëri edhe hapjen solemne , këtë manifestim e ka vlerësuar si ngjarjen më të rëndësishme kulturore në qytet.
“Po e fillojmë edhe sivjet manifestimin tashmë tradicional “Ditët e Kulturës”, në prag të përvjetorit të 17 të çlirimit. Është ky një rast i mirë që krijuesit ferizajas, veprimtarët dhe të gjithë ata që merren me aktivitete kulturore, të paraqesin arritjet vjetore në fusha të ndryshme të arteve”, tha Ferati.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur Olger’t Rakipllari nga qendra kulturore “Asa”. “Vijmë sot këtu për të risjellë festivalin ndërkombëtar të arteve pamore, stilimit dhe arkitekturës “Ekspo Stil Arki ASA” Edicioni i 5-te. Sigurisht 1 maji, dite kur u zhvillua festivali, ishte emocionues dhe plot surpriza, por sot, këto emocione shumëfishohen sepse të ndodhemi sot këtu tregon se ne ia dolëm. Ky festival do sjellë para syve tuaj ekspozitën e arteve pamore dhe arkitekturës. Të gjithë veprat pjesëmarrëse janë pjesë e konkursit të lançuar paraprakisht ne Tirane me temën aq aktuale “emigrati ON-OFF”. Veprat janë të shumta, artistët që kanë kërkuar të shpalosin botën e tyre të brendshme dhe talentin e tyre po ashtu dhe kjo na gëzon”, ka thënë Rakipllari.
Këtë ekspozitë tejet lartë e ka vlerësuar edhe drejtuesi i galerisë së arteve në Ferizaj Skender Bedriu. Ai tha se është ndjenjë e veçantë që të shohin një ekspozitë të artit pamor nga qendra kulturore “Asa”nga Tirana në qytetin e Ferizajt.
Në fund të këtij manifestimi piktori nga Zvicrra Gani Bytyqi, ka ndarë edhe një monografi drejtorit të galerisë së arteve në Ferizaj Skender Bedriu. Për 10 ditë artdashësit dhe dashamirësit e kulturës kanë një rast të mirë të njihen me rrjedhat e krijimtarisë kulturore dhe t’i shijojnë ato vlera që po krijohen në këtë mjedis.
Manifestimi sivjet do të ketë edhe vlera artistike të ardhura nga jashtë Ferizajt.