Njëra ndër këngëtaret më të veçanta dhe më të komentuara të estradës gjatë viteve të fundit është Filloreta Raçi, e njohur për publikun si Fifi.
Kritikat ndaj saj filluan që nga paraqitjet e saj të para në skenën e muzikës kosovare. U komentua stili i saj, pesha, e tekstet, por asnjë nga këto nuk ndikuan në personalitetin e saj të veçantë, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.
Fifi ka, pa dyshim, një ndër vokalet më të bukura në Kosovë, e përveç kësaj ajo shquhet edhe si tekstshkruese.
Bashkëpunimi i saj më Mc Kreshën, ishte një ndër këngët më të pëlqyera në festivalin “Kënga Magjike”, por ky nuk ishte kontributi i saj i vetëm në këtë festival.
Vetëm në “Këngën Magjike” morën pjesë 9 këngë me tekste të shkruara nga artistja, gjë për të cilën ajo shprehet mjaft e lumtur dhe e kënaqur.
“Psikopatja jote” arriti të rrëmbejë vendin e tretë dhe çmimin “Kënga më e votuar në ueb” nga publiku, por edhe këtë herë, kritikat nga publiku nuk munguan. Arsyetimi artistik i Fifit këtë herë ishte më se i kuptimshëm.
Fifin jemi mësuar ta shohim me tekste që flasin për dashurinë, e shumë shpesh edhe me qasje feministe.
Këngëtarja ka treguar detaje edhe për kuptimin e këngëve të saj… po ashtu, edhe për konceptin e saj mbi titullin VIP.
Edhe pse Fifin e kemi parë në skenën e muzikës sonë vetëm në vitet e fundit, ajo ka tashmë 8 vjet që merret me muzikë.
Vëmendjen e siguruar tani e konsideron vetëm si fillimin e saj, për ta shtuar suksesin gjatë vitit 2019, kur thotë se do të prezantojë shumë projekte të reja.
E talentuar, plot energji pozitive, gjithmonë me tekste të veçanta e origjinale, Fifi tashmë është edhe një ndër artistet më të preferuara të publikut.