20,05,2024

Ferizaj me koncert madhështor për nder të Ditës së Çlirimit dhe 150 vjetorit të themelimit

Must Read

Palestra e Sporteve “Bill Clinton”, ishte e mbushur plot e përplot mbrëmë në koncertin festiv për të shënuar Ditën e Çlirimit, por edhe 150 vjetorin e themelimit të Ferizajt.

Të pranishëm në këtë koncert ishin familje të Dëshmorëve të Kombit, drejtues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, veteranë, invalidë, të burgosur politikë, martirë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidership të partive politike në nivelin lokal, ish kryetarë të komunës, familje të ish kryetarëve të Komunës së Ferizajt të para luftës, anëtarë e ish anëtarë të Kuvendit të Komunës, drejtorë e ish drejtorë të komunës, si dhe qytetarë të shumtë.

Me një fjalë rasti të gjithë të pranishmëve ju është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka thënë se secili prej nesh, kemi një ditë të veçantë, që e festojmë si ditëlindje personale.

“Por, qytetarët e Ferizajt, kanë një privilegj ndryshe, në formë dhurate: kanë një vit që e festojnë si vitlindjen e tyre të përbashkët-vitin e krijimit të qytetit! Secili qytetarë i Ferizajt, ndihet i ri dhe i vjetër njëkohësisht. Ose, secili qytetarë i Ferizajt, ndihet i ri e i freskët si 150 vjeçar, krahë me gjurmët shumë të vjetra të qytetarisë.
Ferizaj, kremton sivjet 150 vjetorin e themelimit. Treva e Ferizajt, e banuar prej mijëra vjetësh më parë, ndoshta ka qëndruar paksa e skajuar nga trazimet e thella të proceseve historike, për një periudhë shumë të gjatë.
Por, duket se edhe vetë historia, ka një sekret të vetin: sikur mban të fshehtë një projekt kreativ, për ta shpërfaqur atë në momentin kur botës i duhet një arenë, e cila do të shndërrohet në një kronikë kujtese, për vlime të mëdha, të cilat do të emancipojnë rrënjësisht botëkuptimin për qytetarinë, lirinë e njerëzoren”, tha Aliu.

Ai ka thënë se duket se historia, pikërisht qytetin e Ferizajt, e ruajti si një sekret të tillë simbolik.

“Sepse, ngjarjet e bujshme e të rrëmujshme që ndodhën njëra pas tjetrës në Ferizaj, që pas themelimit të tij si qendër urbane e deri në vitin 1999 veçanërisht, janë dëshmi se krijimi i vonshëm i qytetit të Ferizajt, ishte i destinuar për t`i dhënë rrugëtimit tonë, pikën identifikuese të aktiviteteve politike, intelektuale e ushtarake, në drejtim të fuqizimit të idesë së lirisë, pavarësisë e shtetformimit. Vetëm 8 vjet pas krijimit si qytet, afër Ferizajt, në betejat e përgjakshme ndërmjet forcave të Lidhjes së Prizrenit dhe ushtrisë osmane, do të ngrihte shtat panteoni i heronjve kombëtarë, me në krye Mic Sokolin e Sefë Kosharen. Nga viti 1908, ideologët e kombit shqiptar, në krye të afër 50,000 luftëtarëve shqiptarë, pikërisht në Ferizaj do të hapnin platformën e kërkesave politike kombëtare, që u pasuan me kryengritje, të cilat u sublimuan më shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Kundërshtimi i armatosur i pushtimit serb, më 24 tetor të vitit 1912, Ferizajn e rreshtoi në mesin e qendrave të pakta të Kosovës për një rezistencë të tillë”, ka potencuar Aliu, përderisa ka shtuar se Ferizaj i ktheu pushkën edhe ripushtimit jugosllav-serb të vitit 1944. Pas vitit 1944, Ferizaj u shndërrua në një qendër të fuqishme të veprimit politik atdhedashës, nëpërmjet emancipimit politik të kërkesave të asokohshme të shqiptarëve, për liri e shtetformim. Në vitin 1968, pas Prishtinës, Ferizaj do të evidentohej si qendra më e zjarrtë e demonstratave për statusin e Republikës për Kosovën. Pranvera shqiptare e vitit 1981, Ferizajn e cilësoi si qendrën kryesore të rezistencës kombëtare, kundër shtypjes e terrorit serb, për shkak të përfshirjes masovike të popullatës shqiptare të tij, në demonstratat e kohës. Në vitin 1989, gratë e vajzat e fshatit Balaj, ishin të parat në Kosovë, që ndezën shkëndijën e zjarrit të madh të mbrojtjes së parimeve të shtetësisë së Kosovës.
Edhe pas vitit 1989, Ferizaj mbeti një pikë referente e organizimeve politike e ushtarake të kohës. Ndërsa, në vitin 1998, historia regjistroi në fletët e saj më solemne, rreshtimin triumfal të UÇK-së, në Zonën e Neredimes”, ka thënë Aliu.

Kryetari Aliu është shprehur se Ferizaj, nga historia, nuk u ndërtua vetëm si një vendbanim urban. Ferizaj, u ndërtua dhe funksionoi si një krijim motivues e frymëzues i botëkuptimit të emancipuar për virtytet më domethënëse të lirisë, njerëzores e pavarësisë. “Të rralla janë trevat që për vetëm 130 vjet, panë aq shumë trazime dhe regjistruan aq shumë zhvillime, aq të shpejta e aq dramatike, si Ferizaj.
Secila prej zhvillimeve historike që u ngjizën ose u masovizuan pikërisht në trevën e Ferizajt, përfundoi me sukses të plotë historik. Por, edhe pasojat ishin shumë të mëdha e të rënda. Mijëra të masakruar e të vrarë, gra, fëmijë e pleq, mijëra të terrorizuar, të burgosur e të deportuar nga atdheu, ishim çmimi që pagoi Ferizaj, në rrugëtimin e përbashkët kombëtar drejt lirisë, pavarësisë e shtetësisë.

Ferizaj, përfundimisht u çlirua më 12 qershor të vitit 1999”, ka thënë Aliu. Ai tutje ka shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, atë ditë zbriti me flamurin e triumfit, në qytetin e ri, i cili kishte parë shumë vuajtje e pësime në të kaluarën.

“Por, për herë të parë në histori, shqiptarët patën një ushtri, e cila nuk ishte e vetme në luftën e saj, por kishte në krahë aleatët, SHBA-në dhe vendet e tjera të NATO-së. Një rreshtim i tillë, solli fitoren e cila përveç gëzimit, solli mbi shpatullat tona edhe përgjegjësinë e konsolidimit politik e administrativ shtetëror. Sepse, viti 1999, ishte viti i parë, për shqiptarët e okupuar deri atëherë, që do të duhej të nisnin e të mendonin përtej mentalitetit të mbijetesës fizike e kulturore. Viti 1999, shënon momentin kur populli shqiptar, do të duhej të hapte mendjen dhe të transformohej në një makinë kreative e shtet-konsoliduese dhe zhvillimit ekonomik, social e kulturor. Ferizaj, e kuptoi më së miri këtë cilësi të re thirrjeje. Ndonëse me disa arritje të deriatëhershme ekonomike, infrastrukturore e arsimore, në shumë aspekte, Ferizaj, deri në vitin 1999, nuk i ngjante edhe aq shumë një qyteti. Por puna jonë e palodhshme, kreativiteti dhe guximi për të realizuar projekte të vështira e të kushtueshme, bënë që Ferizaj si qytet dhe fshatrat e tij, sot të kenë të gjitha tiparet e një qytetarie funksionale”, tha Aliu..

Pas fjalës së Kryetarit Aliu, ka vazhduar koncerti festiv ku janë paraqitur më këngët e tyre Orkestra Simfonike nga Shkodra me artistë të mirënjohur shqiptarë nën dirigjimin e maestro Jetmir Barbullushi dhe Lirjona Sylejmani, si Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Selami Kolonja, Lorjan Ejlli, Liridon Sadriu, Egzona Salaj, Blerta Cina, Mehmet Zuka, Rezarta Ramadani, Anesa Bunjaku, Blerim Grubi e të tjerë, gjersa e veçanta e mbrëmjes ishte prezantimi, premiera e Himnit të qytetit, me tekstshkrues e kompozitor prof. Astrit Mustafa, orkestruar nga maestro Jetmir Barbullushi, shoqëruar nga kori i shkollës “Gjon Serreçi”, të përgatitura nga prof. Albulena Nuredini, himn ky që u mirëprit e u duartrokit gjatë nga të pranishmit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjobë ndaj personit që bëri tejkalim në vijë të plotë, identifikohet kundërvajtja përmes dronit të policisë

Policia Rajonale e Komunakacionit Rrugor me datën 18.05.2024 rreth orës 16:35, në rrugën magjistrale Ferizaj-Viti, skatësisht në fshatin Gërlicë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img