Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjen e parë të këtij viti. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Në këtë mbledhje u caktuan dy anëtarë për komisionin për ndarjen e bursave për studentë për vitin shkollor 2022-2023. Nga radhët e partisë Demokratike për këtë komision u caktua Elbasan Osmani, ndërkaq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Naser Beqiri.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës, janë caktuar edhe anëtarët e grupit për hartimin e planit të punës së Kuvendi i Komunës, ku në këtë komision u caktua Hyzri Kamenica nga PDK-ja, Brahim Osmani nga VV, Besim Haziri nga LDK, Arton Gavazi nga AAK-ja, Ismajl Sejdiu nga Nisma, Besarta Shabani nga RDK, Ibrahim Hyseni nga AKR-ja, Habib Krosa nga iniciativa “Ne mundemi”, Pakize Bujani nga PDAK-ja.
Me shumicë votash është votuar edhe Komiteti Konsultativ për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm. Komisioni ka përzgjedhur këta anëtare: Lulzim Shabani, Nora Sadiku-Dushi, Liridon Jetishi, Lulzim Azemi si dhe Adnan Hashani.
Poashtu në këtë mbledhje u vendos që anëtarë i ri i komitetit për komunitete të jetë Benjamin Kryeziu.
E nga ana tjetër drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Burim Bajrami para anëtarëve të Kuvendit të Komunës ka bërë edhe propozimin për ndarjen e subvencioneve në lëmin e bujqësisë për vitin 2023. Pas disa diskutimesh edhe kjo pikë e rendit të ditës kaloi.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Arben Halili, ka bërë propozimin për daljen në konsultim me publikun të Projekt Planit të Komunës për Menaxhimin e Mbeturinave 2023-2027.
Në këtë mbledhje drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli ka bërë propozim – vendimin për këmbimin e pjesëve të ngastrave kadastrale; 633-2, 630-0 Z.K. Bablak, pronë private, me qëllim të këmbimit me pjesën e ngastrës kadastrale 475-0 Z.K. Babush i Ri, pronë e Komunës së Ferizajt si dhe propozim – vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesëve të ngastrave kadastrale 228-2 dhe 232-2 Z.K. Prelez i Muhaxherëve.
Drejtori i Urbanizimit Arbër Bytyqi, ka bërë propozim – vendimin për plotësim e Vendimit 01.Nr. 160, hapjen e shqyrtimit publik për Draft – projektin e Hartës Zonale të Komunës së Ferizajt 2022-2030 si dhe propozim – vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër për vendosje të kioskave, pjesët e ngastrave kadastrale 1745-1, 1743-0, 708-1, 1876-0, 2816-1, 2787-3, 2025-0, 2160-0, 2806-0, 2136-2, 2809-1, 2501-0, 2527-2 Z.K. Ferizaj.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe çështje të ndryshme nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.