Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i ka bërë thirrje Parlamentit të Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, me qëllim të hapjes së procesit të liberalizimit të vizave.
Ajo ka thënë se brenda javës së ardhshme komiteti i Parlamentit të Evropës për liritë civile, drejtësinë dhe sigurinë, do të debatojë për herë të parë për një raport që ajo e ka përgatitur për liberalizim të vizave për Kosovën.
Në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, Fajon ka thënë se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën. “Në raportin e fundit të Komisionit Evropian është thënë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, përpara se të bëhet liberalizimi i vizave. Në ditët e fundit kam pasur një numër diskutimesh me Komisionin Evropian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian. Tash për tash i kemi katër shtete që po presin për liberalizim të vizave dhe unë do të doja që Kosova të jetë në mesin e të parave. Raporti është në Parlament, por siç e thash, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit, pas gjithë bisedave që kam pasur në ditët e kaluara, është një kusht absolut dhe pres që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ajo.
Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar vitin e kaluar, por e pa ratifikuar në Parlament, duhet të miratohet para se BE-ja të vendos për liberalizim të vizave.