Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se, “fshihet pas djallëzisë së nenit 13 të ligjit për aktivitetin e prokurorisë në luftën kundër korrupsionit”, që hap sipas tij “derën e një censure të paprecedentë, duke parashikuar dënimin e gazetarëve”.
“Direkt me dorën e tij apo të ndonje “xhafe”, Edi Rama ka parashikuar qelinë për ndonjë gazetar që bën shkrim ose mban qëndrim të papërshtatshëm”, ka deklaruar Basha.
Kreu i opozitës ka theksuar se, “kjo masë nuk ka lidhje me reformën në drejtësi dhe është një standard i juntave të korruptuara”.
“Ky nen nuk do të kalojë kurrë, sepse do ndalet nga Partia Demokratike. Por është shumë e rëndësishme të zbardhet e plotë skema se si erdhi ky nen, kush e shkroi, kush zbatoi porosinë politike”, ka vijuar Basha.
Sipas tij, futja në draft e këtij neni është shprehje e vullnetit të mbrapshtë të mazhorancës, “që ka zënë rrënjë në kokën e të sëmurit të Surrelit”.
“Duhet transparencë e menjëhershme për këtë tentativë për të shkelur një prej lirive kryesore e themelore të demokracisë. Une i siguroj gazetarët dhe përfaqësuesit e medias se ky nen-gijotinë do të bjerë, por i ftoj ata të hetojnë të vërtetën rreth kësaj perpjekjeje për censurë me ligj”, ka shtuar Basha.