Drejtori i organizatës joqeveritare Ec Ma Ndryshe, Hajrulla Çeku, nëpërmjet Facebook-ut ka njoftuar për rrënimin edhe të një shtëpie të vjetër në Prizren.
Çeku është shprehur i shqetësuar me këtë trend rrënimesh e shkatërrimesh të monumenteve në Qendrën Historike të Prizrenit.
Ai është ankuar se shteti nuk po gjendet asnjëherë në vendin e ngjarjes kur po ndodhin të gjitha këto, përfshirë rrënimin e dy shtëpive të dhe kaplimin nga zjarri të ndërtesës, e cila ishte pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike.
Postimi i plotë i Çekut:
Sot u rrënua edhe një shtëpi e vjetër në Prizren
Brenda vetëm një jave, në Qendrën Historike të Prizrenit u shkatërruan tre monumente: dy shtëpi të vjetra u rrënuan tërësisht dhe ndërtesa që është pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike u kaplua nga zjarri për herë të dytë. Çuditërisht, të gjitha po ndodhin ditëve të fundjavës dhe natyrisht, shteti nuk po shfaqet në vendin e ngjarjes.
Krimi po ndodh para syve të të gjithëve, ndërsa autoritetet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asnjë veprim. Shkatërrimi do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Mosveprimi i zyrtarëve të shtetit nënkupton bashkëpjesëmarrje në krim.