09,11,2024

Edhe në Ferizaj shënohet Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Must Read

Ferizaj.17.02.2017. Aktivitete për shënimin e Ditës së Pavarësisë në qytetin e Ferizajt, kanë filluar me një mbledhje solemne në të cilën merrnin pjesë drejtues të pushtetit lokal dhe qendrore, deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës, krerë të Gjykatës, Prokurorisë, Policisë, përfaqësues të kulteve fetare si dhe asamblistë të Kuvendit të Komunës.

Fillimisht të gjithë të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Faruk Guri, i cili ka folur për rëndësinë e kësaj ditë dhe ka uruar të gjithë ferizajasit me rastin e nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
E nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se nëntë vjet rrugë pavarësie për një vend, janë pak për historinë, por nuk janë pak për frymimin e lirë të qytetarëve të Ferizajt e të Kosovës, pas aq shumë dekadave të vuajtjeve e flijimeve të panumërta.

“Nëntë vjet nuk janë pak për këndelljen dhe konsolidimin e shoqërisë dhe për fillimin e ngritjes së mirëqenies për banorët e komunës sonë. Sot është një ditë e madhe kremteje në kalendarin e historisë më të re të Kosovës. Është dita e kurorëzimit të synimeve tona shekullore, për të realizuar ëndrrën e shumë brezave, që të jetojmë të lirë në vendin tonë. Në një ditë si kjo e sotmja, ne kujtojmë flijimet e panumërta të ferizajasve e të kosovarëve përgjatë shekujve e dekadave, për të realizuar idealin e lirisë e të pavarësisë, për të realizuar ëndrrën e ndërtimit të një jete të lirë e demokratike. Është dita e shënuar për t’u përkulur me nderimin më të thellë para veprës së atyre burrave e grave, që e vunë shëndetin, pasurinë dhe jetën e vet, për të vendosur një gur në themelet e ngrehinës së shtetit e të lirisë sonë kombëtare. Në këtë ditë, ne falënderojmë me respektin më të madh të gjitha ato vende e forca përparimtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që u rreshtuan për të mbrojtur popullin tonë nga shfarosja dhe ndërmorën veprimin e rrallë në historinë e re, për të ndalur shfarosjen masive të popullatës civile”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai më tutje është shprehur se sot është rast i veçanta për për të shqyrtuar këto nëntë vite, për të bërë bilancin e arritjeve, e ngecjeve, natyrën e rrugëtimit tonë politik, ekonomik, shoqëror, arsimor, shëndetësor, kulturor e sportiv.

“Është momenti të shohim se si i kemi ndërtuar jetët tona gjatë këtyre nëntë viteve, çfarë kemi bërë për vendin dhe për veten tonë. Çfarë ka ndodhur me ëndrrat tona të dikurshme për vendin tonë të pavarur dhe si po sillemi ndaj këtyre ëndrrave e idealeve, të cilat i bartën në zemrat e tyre dhjetëra breza. Është e natyrshme që të gjithë ne të kemi këndvështrime të veçanta, madje edhe të ndryshme për ecjen tonë të pavarur në ndërtimin e shtetit të së drejtës, në ndërtimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, të mirëqenies ekonomike e shoqërore të popullatës sonë. Por është e vërtetë e pamohueshme se çdo vit jemi më mirë se vitet e mëparshme dhe jemi duke bërë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të përgjithshëm, duke ofruar shërbime më të mira, më shumë shkolla e qendra të kujdesit shëndetësor, rrugë më cilësore, çerdhe më të shumta për fëmijët tanë, investime në bujqësi dhe mjedis më të mirë biznesor. Dalëngadalë po mbizotëron vetëdija se vendin tonë duhet ta zhvillojmë e përparojmë dhe ta ngrisim shkallën e mirëqenies, në radhë të parë ne, banorët e këtij vendi, duke e zëvendësuar mendësinë e pritjes së ndihmave nga jashtë. Ne në Komunën e Ferizajt mund flasim për avancimin e qeverisjes me duar të pastra. Mund të krenohemi me faktin se në komunën tonë, gjatë disa viteve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i keqpërdorimit të detyrës zyrtare, as i korruptimit të nëpunësve”, është shprehur Svarqa.

I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se qytetin e Ferizajt, gjatë këtij viti e presin edhe investime të shumta.

“Dëshiroj të theksoj me këtë rast se viti në të cilin kemi hyrë, pritet të jetë një vit i pasur me investime që do ta ngrisin shkallën e përgjithshme të zhvillimit. Kemi një rritje të ndieshme buxhetore, e cila premton investime më të mëdha se vitin që shkoi. Veç kësaj, muajin e fundit janë paralajmëruar investime të papara në komunën e Ferizajt nga Qeveria e Kosovës. Le të përmend me këtë rast vetëm memorandumin që nënshkrova para pak ditësh me Ministrinë e Financave, për investimin në Komunën e Ferizajt të 3 milionë eurove për infrastrukturë rrugore, e cila do ta përmirësojë ndjeshëm qarkullimin në komunën tonë. Le të kujtojmë gjithashtu njoftimin e javës së kaluar nga Ministria e Infrastrukturës se në maj të këtij viti do të fillojë ndërtimi i rrugës Ferizaj – Gjilan me katër korsi, me ndriçim publik dhe me trotuare. Janë këto vetëm dy nga projektet më madhore që pritet të fillojnë së realizuari gjatë këtij viti. Por, ka edhe projekte të tjera të rëndësisë kapitale, si ndërtimi i fabrikës së re të ujit, ndërtimi i rrjetit të ujësjellësve në disa fshatra, fillimi i ndërtimit të spitalit rajonal, studimi i fizibilitetit për zgjidhjen e problemit të hekurudhës, e kështu me radhë. Investimet në bujqësi do të jenë më të mëdha se asnjëherë tjetër, ndërkohë që subvencionimi i kamatave për investime të reja, do të vazhdojë edhe më tej. Këto investime, pa dyshim që do ta ndryshojnë pamjen e komunës sonë dhe do të hapin edhe vende pune për të rinjtë ferizajas. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se zhvillimi i përgjithshëm i vendit tonë, nuk është duke u bërë në përputhje me pritjet dhe ëndrrat tona të dikurshme. Por vazhdimisht po ecim tutje duke arritur suksese të reja, duke ndërtuar infrastrukturë përherë e më cilësore, më shumë objekte të intersit publik, shkolla dhe institucione më të mira shëndetësore”, ka përfunduar kryetari Svarqa.

Të pranishmit në këtë mbledhje solemne i ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatës së Veteraneve të Luftës së UÇK-së Rafiz Sejdiu.

Pas mbledhjes solemne, Orkestra Frymore e Shkodrës, së bashku me krerët e institucioneve kanë bërë edhe homazhe tek shtatorja e dëshmorët, Rexhep Bislimi, tek shtatorja e dëshmorit Afrim Kalanica, dhe dëshmorit Naim Beka, për të vazhduar drejt Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në qytetin e Ferizajt, ku prehen të qetë 62 dëshmorë.

16730555_1436730969695055_9114178622919397774_n

16683963_1436730906361728_5061613575113077263_n 16729326_1436730706361748_1090883869344323165_n 16807373_1436730696361749_8716828933857664874_n

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Zyrtarët publikë të dhjetë komunave rrezikojnë të mbesin pa paga në nëntor, shkak kontrata kolektive

Zyrtarët publikë të mbi 10 komunave të Kosovës rrezikojnë që mbesin pa paga të muajit nëntor si shkak i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img