Qindra e mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kanë qenë prezent sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar mbajtjen e Ramush Haradinajt në Francë. Ata thonë se do të protestonin edhe nëse lideri i AAK-së akuzohet nga Gjykata Speciale.
“Edhe 100 gjykata franceze e 100 Gjykata Speciale po ta akuzojnë, Haradinajn gjithmonë ka me e mbështet populli”, tha Adem Bajrami nga Mitrovica, teksa protestonte sot për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në sheshin“Skënderbeu” në Prishtinë.
Bajrami shprehet i bindur se ish-Komandanti i zonës së Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i pafajshëm, dhe për këtë ai thotë se do të dalë të protestojë edhe nëse Gjykata Speciale do të ngrit aktakuze kundrejt tij.
“Gjithë këta njerëz që kanë dalë sot me e mbështet Ramush Haradinajn, kanë dalë të tregojnë se ai njeri është i pafajshëm”, i thotë Bajrami Gazetës Insajderi.
Qindra e mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kanë qenë prezent sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar mbajtjen e Haradinajt në Francë. Ata duan që Haradinaj të lirohet nga Gjykata e Colmarit.
Avdi Bozhdaraj nga Deçani nuk mund ta paramenojë edhe një tjetër aktakuzë të ngritur kundër Haradinajt.
Bashkëvendasi i Haradinajt është i bindur që lideri i AAK-së nuk do të ketë punë me Gjykatën Speciale, pasi sic thotë ai, ish-kryeministri kosovar e ka dëshmuar shumë herë se është i pafajshëm.
“Nuk do të ketë punë Gjykata Speciale me Ramush Haradinajn, ai është gjyko në Tribunalin e Hagës, s’ka çka gjykohet ma”, thotë Bozhdaraj. Por, pavarësisht kësaj, Bozhdaraj është i gatshëm të dalë të protestojë për Haradinajn sa herë që ai të ketë nevojë.
Bozhdaraj thotë se ai nuk do të heq dorë nga protestat, derisa Haradinaj të lirohet.
“Unë kam dal për të protestoj në çdo protestë që është ba për Haradinajn, edhe ka me dal gjithmonë sa herë që është e nevojshme”, pohon Bozhdaraj.
Edhe një tjetër bashkëvendës i liderit të AAK-së, Izet Duraku nga Deçani, që kishte shtuar numrin e protestuesve për Haradinajn, me pjesëmarrjen në protestën e sotme, ka thënë se nuk e imagjinon një aktakuzë tjetër ndaj Haradinajt, për krime lufte.
“Haradinaj është gjykuar një herë në Hagë nuk ka nevojë të gjykohet sërish, dhe as që do të akuzohet më”, thotë Draku.
Por për dikë tjetër, ngritja e aktakuzës për Haradinajn edhe nga Gjykata Speciale nuk do të habiste pasi siç thotë Latif Demiri nga Gjakova, është vërtetuar se rasti Haradinaj nuk ka të bëjë me drejtësi por me çështje politike.
“Kam me protestuar gjithmonë sa herë të është e nevojshme për Komandantin, Ramush Haradinajn. Kur po e shoh çka po ndodhë në Francë unë ma nuk habitëm për asgjë”, thotë Demiri.
Ramush Haradinaj është përballur me gjykime nga Tribunali i Hagës ku dy herë ka dal të jetë i pafajshëm.
Haradinaj është arrestuar në fillim të këtij viti, me 4 janar në Francë, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Lideri i AAK-së seancën e radhës në Gjykatë e ka me 6 Prill në Colmar të Francës. /Insajderi.com