28,12,2024

ECMI KOSOVA shënon javën e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës

Must Read

Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës tek vajzat e reja dhe tek gratë. Prej viti 2007, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit, javën e fundit të janarit. Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Në Kosovë raportohen rreth 60 raste të reja çdo vit të kancerit të qafës së mitrës.

Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave kudo në botë.

Depistimi për kancerin e qafës së mitrës konsiderohet prioritet, por ende një pjesë e grave paraqiten në faza shumë të vonshme kur është vështirë të trajtohen. Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht, por seksi penetrues nuk është gjithmonë i nevojshëm për transmetim.

Kontakti gjenital lëkurë me lëkurë është një mënyrë e mirë-njohur transmetimi. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktiv do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktiv. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual.

Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak muajve mbas infektimit, dhe rreth 90% e tyre brenda 2 vjetëve. Por edhe pse shumica e infeksioneve HPV kalojnë vetë, një pakicë e tyre, kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë, vazhdojnë të qëndrojnë dhe të përparojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë në kancer të qafës së mitrës te gratë.

Ka gjithashtu evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshta se kanceri i qafës së mitrës. Disa lloje të HPV-së (sidomos llojet 6 dhe 11) që nuk shkaktojnë kancer, mund të shkaktojnë lythat gjenitale që janë shumë të përhapura dhe shumë infektive. Mënyra më e mirë e parandalimit si dhe zbulimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është bërja e PAP testit. Kjo është një metodë e thjeshtë gjinekologjike pa dhimbje por rezultatet e të cilës mund të ju shpëtojnë jetën. Më 1 Mars, 2019 Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë, (ECMI Kosovo) filloi zbatimin e projektit tetëmbëdhjetë (18) mujorë “Veprimet ndërkufitare në Sektorin e Shëndetit Riprodhues“ të financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi-Kosovë 2014-2020.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit riprodhues të grave në komunat Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Gjakovë në Kosovë me theks të veçantë duke i targetur gratë nga grupet e cënueshme dhe të margjinalizuara.

Në mënyrë të veçantë, ky projekt ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të shëndetit riprodhues dhe ndërgjegjësimin e popullatës për mbrojtjen e shëndetit riprodhues.

Për shënimin e javës kundër kancerit të qafës së mitrës ECMI Kosova në kuadër të projektit CARES është duke organizuar një sërë aktivitetesh si: Organizim të kontrollave Parandaluese me gra tek Qendrat e Mjekësisë Familjare ose Spitalet Rajonale në komunat përkatëse;

Ligjerata vetëdijesuese me gra dhe vajza të reja; Ligjerata vetëdijesuese me nxënës/e të shkollave të mesme;

Shpërndarje të Broshurës për Shëndetin Riprodhues e cila është zhvilluar në kuadër të projektit CARES, si dhe shpërndarje të materialeve të tjera promovuese të zhvilluara në kuadër të projektit;

Intervista në radio dhe televizion në mënyrë që informacioni mbi rëndësinë e kontrollave parandaluese gjinekologjike të arrijë sa më shumë njerëz;

Publikim të dy artikujve që flasin për kancerin e qafës së mitrës, për simptomat, mënyrat parandaluese e numrin e rasteve në Kosovë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img