Njëkohësisht ende nuk është mësuar as itinerari që ka ndjekur mjeti fluturues ditën e aksidentit, ndonëse mësohet se është thënë që orëve të para të së mërkurës “EC145” me dy personat që më pas humbën jetën kanë bërë një lëvizje në jug të vendit.
Ende asnjë e dhënë nuk mësohet mbi shkakun e lëvizjes nga Farka mesditën e së mërkurës, ndërsa vetë kreu i Forcave të Armatosura pranoi se mjeti lëvizi nga baza kryesore pikërisht në orën 12.10 minuta. Janë një sërë komponentësh që janë përfshirë në hetim, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ditën e djeshme ka bërë me dije se ka nisur edhe një hetim administrativ për ngjarjen e rëndë. I mbijetuari i atij aksidenti mësohet se ende nuk është marrë në pyetje për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur, ndërsa në spital, në ato pak rrëfime që ka bërë për policinë ushtari profesionist 23 vjeçar ka theksuar vetëm faktin se nuk e kupton se çfarë ka ndodhur, pasi helikopteri nuk ka dhënë asnjë sinjal defekti.
Dje
Polumbarë nga Tirana, forca të ushtrisë dhe të policisë së Shkodrës kanë nxjerrë nga Liqeni i Shkodrës mbetje të helikopterit “EC 145” të rrëzuar në këtë liqen ku si pasojë humbën jetën dy efektivët e Forcave të Armatosura, Floran Delia dhe Donald Hoxha dhe u plagos një tjetër. Sedilja e helikopterit, një pjesë e motorit dhe disa mbetje të tjera janë nxjerrë mesditën e së shtunës ndërsa janë transportuar në Tiranë me një furgon të Ministrisë së Mbrojtjes. Në liqen kanë qenë të pranishëm dhe efektivë të RENEA-s dhe mjete të specializuara lundrimi. Banorë të zonës, me mjetet e tyre lundruese kanë afruar ndihmë, por kjo është refuzuar nga drejtuesit e procedurave duke u thënë se nuk është e nevojshme. Të pranishëm kanë qenë dhe përfaqësues të kompanisë franceze “Eurocopter”, nga e cila është blerë helikopteri i rrëzuar, ndërsa specialistë të kësaj kompanie do të jenë të pranishëm në hetimet për zbulimin e shkaqeve të rrëzimit.
Mësohet se helikopteri i rrëzuar, kishte kryer një fluturim paradite, në orën 08.30 ku nga baza e Farkës drejt jugut të vendit, për stërvitje dhe ishte kthyer përsëri në bazë. Pasi kishte qëndruar aty, kishte bërë kontrollin teknik dhe ishte nisur për fluturimin e dy në itinerarin Verilindje-Veri dhe Ultësirë Perëndimore. Për aksidentin, deri tani, nuk ka të dhëna të plota lidhur me shkaqet dhe, zyrtarisht, nuk thuhet asgjë. Nga burime jo zyrtare mësohet se ka dyshime për probleme teknike. Kjo pasi ky tip helikopteri ka të mundur uljen me slitë dhe hapjen e jastëkëve të ajrit të cilët nuk kanë funksionuar. Kjo mbështetet dhe nga fakti se dy viktimat janë gjetur të lidhur me rrip sigurimi dhe nuk e kanë hequr atë dhe nuk kanë tentuar të hidhen nga helikopteri.
Kutia e zezë
Nxirret kutia e zezë e Eurocopter “EC 145”, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit në Liqenin e Shkodrës. Prokuroria e Shkodrës, mësohet se ka regjistruar procedimin penal për shkelje të rregullave të fluturimit ajror dhe për lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë apo pa një shkak të ligjshëm, vepra këto të parashikuara në nenet 83 dhe 48 të kodit ushtarak. Burime nga prokuroria e Shkodrës bëjnë të ditur se për sa kohë nuk dihen shkaqet e rrëzimit të helikopterit, ka dyshime për këto dy vepra penale, pasi nuk dihet përse ky helikopter është nisur nga baza e Farkës dhe nga ka qenë itinerari i tij. Pavarësisht se këtyre pyetjeve i kanë dhënë përgjigje zyrtare burimet nga Forcat e Amatosura, hetimet do të vazhdojnë dhe ato kryesohen nga kryeprokurori i Shkodrës, Granit Shahu. Në hetime mësohet se janë përfshirë dhe prokuroria e Tiranës, e cila do të kryejë veprime hetimore siç është marrja e dokumentacionit përkatës në bazën ajrore ushtarake të Farkës dhe në Qendrën e Kontrollit të Raportimit në Rinas. Kutia e zezë është marrë nga ekspertët e kompanisë franceze “Eurocopter” dhe nga ata shqiptarë me qëllim zbardhjen e dinamikës së aksidentit.
The post Dyshimet për helikopterin, vijnë edhe amerikanët appeared first on Lajminet.