Lajme

Dy shqiptarë refugjatë vrasin bashkatdhetarin e tyre në Gjermani

By FerizajPress

April 04, 2016

Në një konflikt që ka ndodhur në një kamp azilkërkuesish në Bonn-Bad Godsberg, natën e të dielës ka humbur jetën një shqiptar i moshës 32 vjeçare. Policia ka arrestuar dy persona të dyshimtë për vrasjen. Bëhet fjalë për një shtetas kosovar të moshës 26 vjeçare dhe një shtetas të Shqipërisë, 30 vjeçar, njofton wdr.de.

Sipas hetimeve të para, rreth orës 19 kishte shpërthyer një zënkë në mes të tre banorëve të kampit, si pasojë e të cilës një person ka pësuar plagë të rënda nga therjet me thikë, transmeton albinfo.ch.  Ndihma e shpejtë nuk ka arritur të shpëtojë 32 vjeçarin i cili shumë shpejt ka vdekur nga plagët e marra.

Ende është e paqartë se cili kishte qenë shkasi i konfliktit. Por personeli i sigurimit në kamp ka arritur të kapë të dyshuarit dhe t`i mbajë ata deri në ardhjen e policisë.

Hetimet e mëtejme pritet të sjellin më shumë dritë lidhur me rastin e rëndë, si rreth asaj sa të armatosur ishin personat e përfshirë në konflikt etj. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i njohur nga policia për delikte të vjedhjes dhe kriminalitet të dhunshëm, bën të ditur policia.

Në kampin në të cilin jetojnë rreth 240 azilkërkues, shumica dërmuese e banorëve janë nga Shqipëria dhe nga Kosova, përcjell albinfo.ch. Ata mbahen këtu pasi që duhet të kthehen së shpejti prej nga kanë ardhur, të riatdhesohen në Shqipëri gjegjësisht në Kosovë.