Nesër bëhen një javë qëkur Qeveria e Kosovës vendosi ta rrisë në 100 për qind taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. E deri tash vërehet rënie drastike e interesimit të bizneseve serbe për të futur mallra në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se deri më tani në Kosova kanë hyrë vetëm dy maune.
Njëra, sipas tij, që ishte nga Serbia dhe tjetra nga Bosnja. Hyrja e tyre është mundësuar te pas pagesës së taksës.
“Deri më sot vetëm dy maune kanë hyrë në Kosovë duke paguar taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria, respektivisht njëra me origjinë të Bosnjës e tjetra me origjinë nga Serbia”, tha Stavileci.
Vendosja e taksës e ka bërë të pamundur hyrjen e produkteve serbe e boshnjake në Kosovë. Si rezultat edhe fluksi i maunave ka rënë.
Stavileci ka bërë të ditur se deri më tani janë kthyer rreth 20 maune. Sipas tij, një numër është kthyer për shkak të taksës, e disa edhe për shkak të deklaracionit të gabuar.
“Tani fluksi ka rënë, por në ditët e para të vendimit janë kthyer rreth 20 maune të cilat janë kthyer për arsye kryesisht të taksës së vendosur, por ka pasur edhe disa raste për shkak të deklaracionit të gabuar”, deklaroi Adriatik Stavileci për Insajderin.
Rritja e taksës në 100 pr qind ka shkaktuar reagime të ashpra te serbët.
Madje, sot po raportohet se katër kryetarët e komunave në Mitrovicën Veriore kanë dhënë dorëheqje.
Gjithashtu gjatë ditës do të ketë edhe një protestë rreth kësaj takse.