Një aksion i Policisë në kuadër të planit operativ “Stop Drogave në Shkolla” ka çuar në arrestimin e një të riu në Ferizaj.
Ngjarja ka ndodhur më 27 prill 2026 rreth orës 16:30 në rrugën “Besim Fazliu”, ku pas një informacioni se në një shtëpi të pabanuar po konsumoheshin substanca narkotike, njësia e hetimeve ka dalë në vendngjarje.
Në atë lokacion është hasur i dyshuari Edison Lahi, tek i cili gjatë kontrollit janë gjetur dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e DHTN-së në Ferizaj, e cila ka marrë përsipër trajtimin e rastit.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar për krime të rënda, është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar: dy paketime me marihuanë me peshë totale 2.41 gram, 95 euro para të gatshme, një telefon i tipit iPhone, ngjyrë e zezë.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.

