Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, përmes një konference për medie ka njoftuar fermerët ferizajas që ka filluar aplikimi për subvencionimin e tyre në lëmine e bujqësisë për vitin 2023.
Sipas drejtorit Bajrami, njoftimi për subvencionimin e fermerëve është marrë gjatë ditës së sotme nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Për dallim nga vitet e kaluara aplikimi për subvencione mund të bëhet vetëm për disa kategori të fermerëve të Komunës sonë dhe gjithë Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për fermerët që kanë vetëm lopë, që kanë vetëm dele apo dhi, që kanë buallica, bletë apo që kanë pula vojse. Vetëm këto kategori do të fillojnë të aplikojnë për subvencione nga data 28 shkurt të këtij vitit”, ka thënë drejtori Bajrami.
Ai tutje ka thënë se fermerët tjerë që kanë më shumë se dy kategori përfshirë këtu lopët dhe sipërfaqet me të mbejullura të kulturave të tjera bujqësore aplikimin do të mund ta bëjnë nga data 17 mars e tutje.
Aplikimi mund të bëhet në zyrat e Drejtorisë së Bujqësisë në Ferizaj.