25,12,2024

DRAMA HISTORIKE SI DËSHMI ARTISTIKE

Must Read

(Vështrim rreth romanit “Karabina e gjyshit”, i autorit, Gazmend Muhamet Bytyçi, i lexuar në përurimin e tij, në Bibliotekën e Qytetit në Ferizaj, më 14 prill 2016)

Nuk mund ta kuptojmë heroizmin si virtyt, nëse në djepin e lindjes së tij nuk e gjejmë natyrshmërinë si motivim. Po ashtu, edhe vet arti është skaji më i fundit i natyralitetit tonë

 

Shkruar nga: Besim Zymberi

Besim-Zymberi-620x330Kam pasur privilegjin që ta kem në dorë romanin, “Karabina e gjyshit”, që në dorëshkrim. Kisha një ndrydhje të motivuar para se të nisja ta lexoja:

Cila do të ishte gjuha që kishte përdorur autori…?

Cila do të ishte thellësia e përshkrimit të ngjarjes së vendosur si subjekt romani…?

Cila do të ishte filozofia e ndërtimit të idesë së romanit…?

Çfarë do të ishte teknika apo stili i ndërtimit të vargut si rrëfim…?

Në fund, cila do të ishte shkalla e natyrshmërisë, si emocion besnik i evokimit të një kujtimi për ngjarjen, e cila mund të ketë qenë edhe përcaktuese për mënyrën e  mëvonshme të të menduarit e jetuarit të autorit, i cili është gjendur ndërmjet amanetit e testamentit…?

Pas leximit të romanit, u ndjeva, jo vetëm i lehtësuar, por edhe i përmbushur!

Gjuha e përdorur prej autorit, ishte e pastër, e pasur, e lehtë dhe e thellë njëkohësisht, tipare këto aq të pritura nga lexuesi.

Rindërtimi letrar i ngjarjes, që ishte lufta e fundit e shqiptarëve për liri, me në ballë UÇK-në,  fatmirësisht kishte shmangur  modelin e thatë rrëfimtar, duke kapur me mjeshtëri dimensionin e trajtimit psikologjik të ngjarjes-proces.

Romani, pashë të ishte ndërtuar me idenë e qartë të shpërfaqjes së natyrshmërisë së reagimit, si përgjigje ndaj thirrjes së një qëllimi të trashëguar, e jo si një reflektim çasti në formë të një shpërthimi nga dëshpërimi!

Stili i ndërtimit të romanit, të bën për vete me dramaticitetin e rrëfimit, duke të hequr çdo dilemë të përplasjes me ndonjë vorbull letrare, që mund të të çorientojë me hermetizmin e saj.

Po ashtu, forma dhe esenca e ndërtimit të vargut, si kategori themeltare e ndërtimit të një rrëfimi, të siguron që tërësia e romanit nuk është vetëm një dëshmi klasike e një protagonizmi, por është një dëshmi e veshur me  nuancat e duhura estetike, të cilat,  vet romanin e vendosin në hierarkinë e merituar të letërsisë së arrirë artistikisht.

Të gjithë ne, pa dallim moshe, mund ta gjejmë veten brenda strukturës filozofike të idesë së romanit “Karabina e gjyshit”

Autori, kam përshtypjen se nuk është ndjerë i thirrur të reagojë vetëm si një dëshmitar pjesëmarrës i një ngjarjeje tepër të rëndësishme. Duke njohur brenda vetes dhuntinë e  të shkruarit, autori është ndjerë i thirrur, që dëshminë e tij, ta shndërrojë në një komunikim ndërmjet kohërave: ndërmjet të kaluarës e të tashmes dhe ndërmjet të tashmes e të ardhmes sonë. Rrjedhimisht, ky komunikim estetik e substancial, lidh edhe brezat e të tria kohëve.

Karabina, trashëgim nga gjyshi, nisur edhe nga vetë titulli i romanit, të tërheq vëmendjen tek simbolika esenciale e vetë temës. Karabina, nuk është vetëm amanet personal, familjar. Karabina, është një strumbullar, rreth të cilit, autori vë në lëvizje vetë historinë tonë, vetë qëllimin tonë, e në veçanti, thirrjen fisnike të epokës së protagonizmit të tij si luftëtar. Frika humane nga shkrepja e armës, në roman na paraqitet si një shtrije emocionale e një dileme tepër sublime. Duhet pasur kujdes, që atë frikë të mos e bëjmë kurrë një me një kategori krejt të kundërt të saj-qyqarllëkun! Në esencë, ajo ndërlidhet shumë simbolikisht me çastin kur njeriu bëhet pjesë efektive e një qëllimi të paraprojektuar. Është ai lloj frike, që kryekëput të mbërthen me natyrshmërinë e saj, si e vetmja kategori psikoemocionale që prodhon guximin për të sendërtuar qëllimin. Është ai lloj frike, që të bën ta duash jetën deri në dhembje, aq sa të frymëzohesh që të ndjehesh i përgatitur që edhe të vdesësh-vetëflijohesh për jetën!

Bunkeri, që simbolizon linjën psikokulturore të mosdorëzimit dhe të mbrojtjes së identitetit, krejt natyrshëm kap edhe dimensionin emocional të një vetëprotagonizmi. Bunkeri, në rrëfimin e autorit, nuk është një vrimë a istikam vetëm i sigurisë apo i një pozicioni lufteje. Bunkeri, ishte një vrimë mentale, të cilën autori, si ish luftëtar, do ta mbushte, përveç me trupin, edhe me karabinën e tij të trashëguar, krisma e së cilës, do t’i jepte jetë ëndrrës së gjyshit të tij Din dhe babait të tij mësues, përkëdheljen e të cilit nuk e mbajti mend. Bunkeri, që ishte çasti përcaktues i epokës së autorit të romanit dhe i brezit luftëtar të tij, do të ngrihej nga ai moment në një shtyllë, në të cilën, pasardhësit e autorit do ta valonin përjetësisht flamurin, duke qenë më të motivuar dhe shumë më të lirë ta ndjekin rrugën drejt ëndrrës kulmore!

Shokët dhe shoqet e luftës, familja, populli, ëndrrat rinore të ndërprera, në modelin letrar-estetik të rrëfimit të autorit, na bëjnë të gjithëve pjesë të pashmangshme të ndjeshmërisë për fatin tonë të vuajtur, por asnjëherë të cenuar në natyrshmërinë dhe besnikërinë ndaj qëllimit.

Rrëfimi, ndonëse në vetën e parë të shumtën e kohës, nuk e shquan autorin si një vetërrëfimtar të jetëshkrimit të vet, por mjeshtërisht përdoret për të identifikuar ecjen tonë kolektive brenda qëllimit të pastër e të drejtë, si amanet dhe testament njëkohësisht.

Autori i romanit, Gazmend Bytyçi, nuk shkroi një dëshmi që do të mund të shtresohej vetëm në ndonjë mbamendje arkivore. Romani “Karabina e gjyshit”, është letërsi artistike, që ka për qëllim rifreskimin elegant të shpirtit tonë dhe synon të mbetet përjetësisht aty.

Gazment Bytyçi, ishte luftëtar. Doli edhe me plagë nga lufta, bashkë me çastet e tija emotive e të paharrueshme, të ritualit hyjnor të mbylljes së syve, bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë. Romani, na risjell edhe një herë heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, nëse heroizmi si virtyt, lind nga shtrati i natyrshmërisë si motivim, forma përmbajtjesore e dëshmisë së autorit është një art, si  shprehje e skajshme qëllimore e natyrshmërisë.

Në të vërtetë, vet lufta çlirimtare, priste në ballë djemtë dhe vajzat, të cilët, me thjeshtësinë e tyre madhështore, me dëlirësinë e tyre frymëzuese, na e kanë dëshmuar edhe një herë se, nuk mund të jesh luftëtar i lirisë, i rënë apo i gjallë, po nuk pate shpirt artisti. Gazmend Bytyçi, nëpërmjet stilit të tij  të ndjeshëm e të pasur letrar, nëpërmjet romanit “Karabina e Gjyshit, na ka rikujtuar të gjithëve dhe ua ka vënë brezave si testament, dëshminë e tij për shpirtin njerëzor të një lufteje të drejtë, humane dhe motivuese për secilin popull që synon lirinë.

Autori, në shtjellimin e romanit, ka përdorur edhe imagjinatën  letrare. Por, ajo imagjinatë asnjëherë nuk del mbi të vërtetën dhe nuk vihet madje as dhe në shërbim të saj. Shumë natyrshëm dhe besueshëm, ajo është e vërteta vet, apo, është një imagjinatë elegante që i jep shijen  e duhur vetëm të vërtetës së gjallë! Dhe, e vërteta e gjallë, nëpërmjet autorit, e sjell tek ne një dramë përcaktuese historike, në formën e një dëshmie letrare të nivelit meritor.

Në përfundim, jemi mësuar shpeshherë të dëgjojmë për libra të ndryshëm, se si ata mund të lexohen vetëm me një frymë. Kam takuar disa njerëz, të rinj e të reja por edhe të moshave tjera, që kanë lexuar romanin “Karabina e gjyshit”. Pa përjashtim më kanë impresionuar me gjetjet identitare të romanit si: karabina, bunkeri, shokët e shoqet e luftës, dëshmorët, ëndrrat rinore, emotiviteti etj. Por, po ashtu, më kanë thënë se romanin e kanë lexuar me një frymë dhe  ua ka  lënë ndjesinë e nevojës  për rilexim.

Edhe unë mund t’iu bashkëngjitem: Romani “Karabina e gjyshit”, vërtetë lexohet me një frymë!

Por, e veçanta e tij është që, sapo të lexohet, përjetësisht mbetet-Frymë!

 

Ferizaj, 14 prill 2016

- Advertisement -spot_img
Të fundit

KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike: Gjatë natës ndalni kondicionerët, bojlerët e ngrohëset me rrymë

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë apel gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Margarita Rashiti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img