24,11,2024

Doli nga shtypi libri “ Historiku i hendbollit ferizajas 1956-1990” i Ismet Jupës

Must Read

NJË SI MONUMENT PËR QYTETIN E HENDBOLLIT

Ferizaj. 16 maj 2016

Doli nga shtypi libri “Historiku i hendbollit ferizajas 1956-1990” i autorit, profesor Ismet Jupës.

Ky libër është i veçantë për një fakt: është libri i parë për sportin në Ferizaj. Libri vjen në kohën, kur në qarqet sportive është një vlerësim i përgjithshëm se historia e sportit në Kosovë mjerisht ende mbetet pak e trajtuar.

Hendbolli ferizajas

Me gjithë sukseset e admirueshme të sportistëve kosovarë ka fare pak libra që nxjerrin në dritë të shkuarën për të njohur më mirë gjurmët tona në këtë fushë.

Libri “Historiku i hendbollit ferizajas” orvatet të mbushë këtë zbrazëti, duke bërë një përshkrim të përmbledhur të zhvillimit të hendbollit, në qytetin që e kishte me dekada shenjë identifikimi pikërisht këtë sport.

Njëri ndër recensentët, profesor Rifat Shabani vlerëson se ky libër do të mbetet një si monument në botën e dëshmive për traditën e begatë të hendbollit ferizajas, duke qenë se pa “Borcin” e Ferizajt nuk mund përfytyrohet dot, jo vetëm historia e hendbollit ferizajas, por edhe historia e sportit në Kosovë përgjithësisht .

“ Hendbollistët ferizajas në vitet 70-të dhe 80-të përbëjnë anën më të ndritshme të mbi gjashtë dekadave të këtij sporti në Kosovë. Ky libër është një shërbim kulturës sportive ndër ne. Autorit Ismet Jupa i është dashur një hulumtim i gjerë dhe i vështirë për të arritur të shfaqen skuadrat pjesëmarrëse në kampionate, formacionet e tyre, rezultatet e ndeshjeve, për t`i bërë ato ndeshje të së kaluarës që të vijnë sërish në letër, bashkë me një përzgjedhje fotografish, të cilat risjellin fytyrat dhe ngjarjet e viteve të shkuara”, vë në dukje recensenti Shabani.

Gjenerata e artë e hendbollistëve të Borcit të Ferizajt, siç parapëlqejnë ta quajnë dashamirët e hendbollit, jo pa një ndjenjë mburrjeje të natyrshme, në gjysmën e dytë të viteve 70-të dhe në vitet 80-të të shekullit të kaluar bëri gara me plot sukses tetë vjet në Ligën e parë të Jugosllavisë, që atëbotë nga ekspertët më të shquar të hendbollit konsiderohej liga më cilësore në botë.

Por, e arritura më e madhe e hendbollistëve ferizajas konsiderohet plasmani i tyre në finalen e Kupës së Jugosllavisë në vitin 1979, kur humbën në Banjallukë nga Boraci vendës, edhe pse ishin krejt afër ngadhnjimit.

Asët e kësaj gjenerate nuk e fshehin që u ka mbetur peng triumfi në këtë finale të kupës, që do t’ua siguronte pjesëmarrjen në Kupën Evropiane me gjasa krejt reale për sukses, madje të plotë, edhe në arenën ndërkombëtare, kur kihet parasysh cilësia e hendbollit në Jugosllavi, që ishte edhe kampione botërore, edhe kampione olimpike.

Shkrimtari dhe publicisti Ramadan Haziri në parathënie të librit “”Historiku i hendbollit ferizajas” vë në pah se në librin e Ismet Jupës, që do ta kenë në dorë sportdashësit, në veçanti dashamirët e hendbollit, do të njihen me fillimin dhe zhvillimin e këtij sporti në Ferizaj si dhe do t’ju shërbejë për freskimin e mbamendjes së sukseseve e mossukseseve që i kanë përcjellë ndër vite.

“Libri është një mundësi për të bërë krahasim nëpër vite e deri më sot të kësaj dege sportive, por edhe një rast meditimi për ata që janë të thirrur që ta ndihmojnë edhe ta zhvillojnë sportin”, shkruan Haziri.

Me dekada ndër dashamirët e sportit porsa zihej në gojë emri Ferizaj asociacioni i parë që ngjallej ishte hendbolli. Në gjysmën e dytë të viteve 70-të dhe në vitet 80 të shekullit të kaluar Ferizaj jetonte në atmosferë hendbolli. Madje, herë – herë qindra hendbolldashës ndiqnin ndeshjet e Borcit edhe jashtë Ferizajt.

Megjithëkëtë , për hendbollin në Ferizaj , jo vetëm që deri më tani nuk kishte ndonjë libër të botuar, por për më keq nuk gjendej as ndonjë e dhënë e sistemuar.

Autori i librit “Historiku i hendbollit ferizajas 1956-1990” Ismet Jupa thotë se pikërisht ky ishte motivi themelor që t’i rreket punës për këtë libër.

“Mjështëria e shkrimit nuk është vokacion imi. Por puna ime e trajnerit të hendbollit gjatë gati një gjysmë shekulli, në mënyrë të veçantë puna me juniorët, pikërisht në kohën e etapës së shkëlqyer të Borcit të Ferizajt në fund të viteve 70-të dhe në vitet 80-të më bëri të jem pjesë e saj dhe ta njohë, le të themi, në mënyrë burimore një pjesë të madhe të historikut të hendbollit ferizajas. Fundja, skeletin e skuadrës ferizajase e përbënin pikërisht lojtarët që dolën nga skuadra e juniorëve që e drejtoja, që më vonë u bënë asë të mëdhenj, të respektuar edhe përtej kufijve të Kosovës dhe të ish- Jugosllavisë” , thotë Jupa.

Në librin “ Historiku i hendbollit ferizajas” ka dëshmi e fakte, nga të cilat me peshë të veçantë mund të quhet dëshmia e iniciatorit të lojës së hendbollit në Ferizaj Hysen Saraçinit, i cili la dëshmi mjaft hollësi të fillimeve të këtij sporti në Ferizaj.

Saraçini në dëshminë e tij pohon se me iniciativën e Bardhyl Zajmit kanë filluar t’i bëjnë hapat e parë në hendboll.

“Unë mora përsipër të themeloj ekipin e parë të hendbollit në Ferizaj. Më 1956 në muajin e tretë a të katërt themelova ekipin e hendbollit pranë shkollës fillore “Peko Tepavçeviq” dhe filluam të bëjmë gara komunale dhe me shkolla të ndryshme në Krahinë. Sa i përket formacionit të parë të ekipit të hendbollit pranë Shkollës fillore “Peko Tepavçeviq” sa më kujtohet, nëse nuk gaboj (është e mundur që të gaboj se kanë kaluar mbi 40 vjet), përveç të tjerëve ishin Mustafë Tmava, Beqir Buçinca, Dabinovci (nuk më kujtohet emri) etj”, vihej në pah veç të tjerash në dëshminë e Hysen Saraçinit, i cili ndonjë vit më parë u nda nga jeta.

Botimin e librit “Historiku i hendbollit ferizajas”e mundësoi financiarisht zyra e kryetarit të komunës së Ferizajt.

“Dëshiroj që të falenderoj nga zemra kryetarin e Ferizajt Muharrem Svarqën për vullnetin e tij të plotë që të përkrahë botimin e këtij libri”, është mirënjohës Jupa.

Autori i librit Ismet Jupa (1946) diplomoi në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Sarajevës si dhe në Shkollën e Lartë për trajnerë të hendbollit. Punoi profesor i edukatës fizike mbi katër dekada, kryesisht në shkolla të mesme të Ferizajt. Ishte seleksionuesi i parë i reprezentacionit të hendbollisteve të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.

Edhe tani kur është pensionuar është trajner i kategorive të reja në klubin e hendbollit “Kastrioti” të Ferizajt.

“Historiku i hendbollit ferizajas” është libri i tij i parë.

“Synova që ky libër të ketë plotëni, por mosgatishmëria e shumë protagonistëve të periudhave të ndryshme të hendbollit ferizajas për arsye të natyrës objektive, por edhe të natyrës subjektive që t’i hedhin në letër dëshmitë ose së paku t’i rrëfejnë ato, bëri që ky libër të botohet në këtë variant me shpresë se edhe si i tillë e ka vlerën e vet dhe se do të jetë një bazë, së paku e hollë për autorët e ardhshëm që do t’i përvishen punës për hartimin e ndonjë monografie”, thotë profesor Jupa.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img