Visar Ymeri e rexhep Selimi dalin sërish përballë Bekim Haxhiut në gjykimin e përleshjes mes tyre të vitit 2012.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri dhe Rexhep Selimi si dhe Besart Bujupit.
Deputetët e Vetëvendosjes Selimi, Ymeri si dhe vozitësi Bujupi akuzohen se më 28 qershor 2012 kanë sulmuar deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu në mjediset e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit.
Në seancën e sotme ku pritet dhënia e fjalës përfundimtare, Visar Ymeri i cili është sjellë me forcë në gjykatë, ka kërkuar që të shikohen edhe një herë xhirimet e ditës kur ka ndodhur përleshja mes tyre, te hyrja e ndërtesës së Kuvendit.
Por i dëmtuari Haxhiu ka kërkuar që në rast se aprovohet propozimi i Ymerit, atëherë të shikohen edhe xhirimet tjera që janë prova të aktakuzës.
Propozimin e Haxhiut e mbështeti edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Rexhep Selimi.
Kërkesa për t’i parë xhirimet është miratuar nga trupi gjykues dhe aktualisht deputetët po i shikojnë ato pamje. /Kallxo.com