29,04,2024

DEKORATAT E KRYETARIT THAQI DHE FERIZAJ

Must Read

Ragip Kçiku
Dhe, na u publikuan emrat e 200 të dekoruarve nga kryetari i shtetit, si meritorë për arritjen deri te 10-Vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Dhe shiko ҫudinë: edhe Ferizaj, qyteti i tretë për nga numri i banorëve, në shtetin e Kosovës, paska një të dekoruar!?
Ore, sa shumë paska kërkuar e kërkuar administrata e kryetarit Thaçi, po edhe ai vetëm si duket, derisa paska gjetur këtë të merituar për ta dekoruar?! Besoj se kryetari ka qenë shumë i lumtur që edhe Ferizaj, qyteti që nuk ka dhënë asgjë për pavarësinë, nuk u anashkalua! Po, meritore është kjo! Sepse për ardhjen te pavarësia kanë kontribuar shumë fshatrat e lagjet afër vendlindjes së kryetarit, madje edhe familjet, por jo Ferizaj! Prandaj Ferizaj meriton një dekoratë sa për formë, sepse njeri përmbajtësor, me vlera për Pavarësinë, nuk ka. Asnjë për be! Mirë që një Hazir Reka paska shkrepur dikur aparatin fotografik dhe paska nxjerrë do foto nëpër botë, përndryshe Ferizaj do të ishte turpëruar fare.
Dhe kryetari ka vendosur drejt. Ku ka faj ai që në Ferizaj nuk ka pasur ide pavarësie?! Që Ferizaj nuk ka pasur të burgosur politikë; që Ferizaj nuk ka pasur nisma kundër pushtuesit; që Ferizaj nuk është angazhuar në luftërat ҫlirimtare; që Ferizaj nuk ka emra të kulturës, me vlerë kombëtare; që Ferizaj nuk e ka mbajtur barrën e dhunës serbe mbi shpinë; që Ferizaj nuk ka dhënë asgjë për ardhjen e Ditës së Pavarësisë, pasi ka përfunduar lufta?
Po, kryetari është shumë i drejtë në vendimet e veta! Me ta gjetur një mini të merituar, për hir të Ferizajt, e shpërblen dhe e quan maxi të merituar, e madhëron Ferizajn! E barazon me meritorët e pamohueshëm të Drenicës, të Dukagjinit, të… të shumë t-jave, sepse, fundja, edhe Ferizaj është në Kosovë dhe kështu i falen edhe pameritat!
Dhe kjo deri këtu ishte pak sarkastike!
Kurse, realisht, po i themi kryetarit:
O, të falënderohemi shumë, kryetar, që na nënҫmove kaq shumë, si Ferizaj e si ferizajas dhe që tregon hapur se na njeh kaq pak e se na ҫmon edhe më pak!
Ajme për ty!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img