“Duket që bashkësia ndërkombëtare nuk di se ç’do bëjë me këtë shtet. Sepse në këtë Maqedoni ka vdekur ajo që e shpëtoi në 2001-in. Ka vdekur marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit ishte kompromisi më i madh që bënë shqiptarët, edhe nën ndikimin e trysnisë së ndërkombëtarëve, për të shpëtuar Maqedoninë. Ndërkaq, shovinizmi maqedonas këtë marrëveshje e cilësoi të dyshimtë, e ka hedhur poshtë. Kjo Maqedoni nuk mund të ekzistojë dot më, kështu siç është. Qeveria e Gruevskit nuk pranon t’i konsiderojë shqiptarët të barabartë”, shprehet Danaj.
Ai mendon se Maqedonia do të stabilizohet kur shqiptarët të shkëputen e të bashkohen me Shqipërinë.
“Po, ka një rrugë tjetër, shumë të drejtë e të garantuar. Shqiptarët e kanë trungun e tyre. Shqiptarët e kanë vendin e tyre. Shqiptarët nuk janë pjesë e Maqedonisë Perëndimore, shqiptarët janë pjesë e Shqipërisë Lindore. Bullgaria nuk i njeh Maqedonisë identitetin, Greqia nuk i njeh emrin, Serbia nuk i njeh Kishën. Përjashto Shqipërinë, e cila gjithmonë, me altruizëm politik, të neveritshëm, absurd, ia njohu të gjitha të drejtat Maqedonisë. Në këto kushte, ka vetëm një rrugë: Maqedonia stabilizohet, kur shqiptarët të shkëputen e të bashkohen me Shqipërinë”, thekson Danaj.