Duke marrë shkas nga kjo pyetëm Andën, vajzën e cila kujdeset në këtë librari- kafe për të dhënë librat për lexim, por edhe për t’i shitur ato se, cila ishte shkalla e interesimit për një ndër librat që i thuri himn urrejtjes njerëzore “Mein Kampf”, të shkruar nga Adolf Hitler. Përgjigja e saj ishte shumë e thjeshtë: “Ka shumë që e lexojnë këtë libër dhe nuk janë të pakët edhe ata që po e blejnë”.
Sipas saj, grupmoshat janë të ndryshme, pasi ka edhe të rinj, por edhe mjaft në moshë mesatare, të cilët po interesohen për këtë libër. “Librat me histori rozë mbeten ende të kërkuar. Por sa u përket librave me temë historike, apo ideologjike ky libër mbetet nga më të kërkuarit. Unë vetë nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj. Ndonëse kam kureshti se përse njerëzit po e kërkojnë gjithnjë e më shumë, kam vendosur që është më mirë të mos e lexoj”, shprehet Anda.
Por për të plotësuar më saktë informacionin Javanews vizitoi edhe disa pika të tjera ku shiten libra. E njëjta përgjigje edhe aty. Librashitësit e veçojnë këtë libër si ndër të kërkuarit kryesisht nga mosha mesatare.
“Nuk di nëse ata që e blejnë shuajnë kuriozitetin. Por besoj se më shumë lidhet me një gjendje jo pozitive të realitetit, ku vihet re se njerëzit po duhen gjithnjë e më pak, ku dhuna vijon të mbetet si alternativë për zgjidhjen e problemeve, pra filozofia e të fortit, dhe nga ana tjetër edhe një diferencim i thellë shtresash që shton më shumë urrejtjen. Këtu mund të kërkohen dhe shkaqet besoj. Ne si librashitës thjeshtë e shesim dhe kaq. Nuk i pyesim për motivet ato që e blejnë”, shprehet Nada H. për Javanews.
Ashtu si dhe në shumë vende të botës edhe në Shqipëri pati një debat jo pak të ndezur lidhur me botimin e këtij libri. Përtej lirisë së botimit shumë figura të njohura, shkrimtarë etj., u shprehën se nuk ishin në mbështetje të botimit shqip, pasi një gjë e tillë mund të sillte jo pak pasoja, kryesisht në fushën e nxitjes së urrejtjes mes njerëzve me besime dhe origjina të ndryshme. Nga ana tjetër libri në vetvete është dhe forma më e qartë e propogandës dhe e manipulimit të mëndjeve njerëzore. Por pse gjithnjë e më shumë shqiptarët po i tërheq ky libër? A është ky një problem që pritet të krijojë jo pak konflikte në të ardhmen mes grupimeve shoqërore në vend? A nxit ky libër kristalizimin e grupimeve radikale që nën petkun e politikës veprojnë të dalë jashtë kontrolli? 72 vite pas botimit kjo vepër mund të duket e “parrezikshme”, por zelli për ta shfletuar gjithnjë e më shumë librin simbol të urrejtjes njerëzore, nuk është një fakt që duhet neglizhuar./javanews.al
The post Çfarë po ngjet me shqiptarët? Libri më i lexuar është “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit appeared first on Lajminet.