Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të institucioneve të ndryshme dhe qytetarëve mund të parandalojë radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë, u tha sot në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësi në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komunën e Prishtinës me temën “Ndërtimi i Urave”.
Shefi ekzekutiv i “STAC Solutions”, gjeneral-majori në pension i Marinës amerikane, Doug Stone, tha se ekzistojnë përvoja globale të trajtimit të rasteve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dukuri që janë luftuar vazhdimisht dhe luftohen ende.
“Ne kemi ardhur këtu që të ndajmë përvoja dhe informacione që kemi parë në botë lidhur me çështjen e parandalimit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe unë besoj fuqishëm që këto metoda do të jenë efektive në Kosovë”, tha Stone.
Drejtori i Policisë në Bashkësi, Fahredin Verbovci, tha se duhet të ekzistojë një vullnet i përbashkët që të luftohet ekstremizmi i dhunshëm.
“Sado që Policia e Kosovës është e aftë ta luftojë këtë dukuri, përsëri është e pamundur që t’i arrijë sukseset e vetme. Prandaj neve na duhet bashkëpunim sepse është në interes të të gjithëve që të jetojmë në një ambient të sigurt”, u shpreh Verbovci.
Ndërkaq, drejtori i inteligjencës në Drejtorinë Kundër Terrorizmit në Ministrinë e Brendshme, Blerim Rama, tha se ata vazhdimisht po i hulumtojnë personat të cilët dyshohen që po përhapin ide radikale.
“Deri më tani 16 persona janë nën hetime për radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm, ku 7 persona nga ta dyshohet të jenë vrarë në Siri”, theksoi Rama.
Ai shtoi se shumë persona të cilët kanë tentuar t’u bashkohen grupeve ekstremiste janë ndalur nga policia dhe po trajtohen vazhdimisht.
“Këta individë për shkak të ideologjisë së tyre radikale nuk pranojnë që të trajtohen nga psikologet femra, andaj lusim Komunën e Prishtinës që të sigurojë psikologë meshkuj”, tha ai./kallxo.com