27,12,2024

Burgjet e padukshme të luftës në Serbi dhe varrezat masive me shqiptarë të Kosovës

Must Read

Të gjitha kampet e burgimit të viteve 1990 dhe varret masive në Serbi janë ende të pashënuara, por ndërsa qeveria kërkon mbështetjen e Kroacisë për negociatat e anëtarësimit të saj në BE, ajo është zotuar të ngrejë memorialin e parë.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq bëri një premtim të papritur gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Beograd javën e kaluar me një shoqatë kroate avokatësh të quajtur “Vukovar 1991”, e cila përfaqëson disa nga viktimat e luftës në vend.

Sipas “Vukovar 1991”, Vuçiq u zotua të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të identifikuar personat që kanë kryer krime lufte kundër të burgosurve jo-serbë të luftës në pesë kampe burgimi në Serbi në vitet 1990 dhe të ngrejë memorialin e parë për viktimat.

“Kjo është hera e parë që dikush ka pritur përfaqësues të një shoqate kroate për bisedime mbi kampet serbe të burgimit dhe në nivelin më të lartë”, tha për mediat kroate Zoran Sangut, kryetari i “Vukovar 1991”.

“Kjo ndodhi me nismën e Bundestagut, sidomos të Josip Juratovic (një deputet gjerman me origjinë kroate), dhe ndodhi pas një takimi midis kryeministrit Vuçiq dhe presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç”, shtoi ai.

Sipas Sangutit, autoritetet serbe do të lejojnë të gjithë ish të burgosurit dhe familjet e tyre të vizitojnë ish-kampin në Stajicevo, provincë e Vojvodinës pranë kufirit kroat, të vendosin kurora me lule dhe të ndezin qirinj në shtator me rastin e përvjetorit të fillimit të luftës.

Ai në Stajicevo është një nga pesë kampet e burgimit të kohës së luftës në Serbi ku u mbajtën shumica e kroatëve. Të gjithë ata janë të pa shënuar dhe të braktisur ose janë shndërruar në fabrika.

Gjatë takimit të Vuçiq me “Vukovar 1991”, u diskutua gjithashtu ideja e ngritjes së një monumenti për të nderuar viktimat e Stajicevos. Diplomatët gjermanë do të monitorojnë procesin e ngritjes së monumentit, tha “Vukovar 1991”.

Por disa ekspertë thanë se besojnë se premtimet e Vuçiq u shtynë nga motive politike.

Dinko Gruhonjiç, një gazetar dhe avokat për komisionin që kërkon të drejtën rajonale RECOM, tha për BIRN se ai mendonte oferta Vuçiç u ndikua nga fakti se Kroacia së fundmi e ka bllokuar Serbinë për hapjen e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësimin e saj në BE.

Që ta lejojë Serbinë të hapë kapitujt 23 dhe 24 – që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut – Kroacia po kërkon që Serbia fillimisht të zotohet se do të respektojë plotësisht të drejtat e pakicave kombëtare, të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e krimeve të luftës në Hagë dhe të anulojë një ligj që i jep Serbisë juridiksion për të gjykuar krimet e luftës të kryera në të gjitha konfliktet e viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

“Ky takim (me “Vukovar 1991”) ka lidhje me hapjen e kapitujve, duke qenë se Kroacia po i jepte Serbisë parakushte për të kaluarën e kohës së luftës”, tha Gruhonjiç.

“Kjo është një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet, por mbetet ende për t’u parë nëse kjo do të ngelet në nivel premtimesh apo do të ketë një rezultat real ,shtoi ai.

“Krimet e dokumentuara më mirë”

Në takimin me Vuçiçin, “Vukovar 1991” kërkoi gjithashtu të merren masa për akuzat penale që janë bërë ndaj autorëve të paidentifikuar të krimeve të luftës në kampet e burgimit në Sremska Mitrovica, Stajicevo, Begejci dhe Nish dhe në burgun ushtarak në Beograd.

Lideri serb i Kroacisë i kohës së luftës Goran Haxhiç, ish-presidenti i Republikës së vetëshpallur të Krajinës Serbe në Kroaci, i cili vdiq të mërkurën, u akuzua nga Gjykata e Hagës për përgjegjësi për krimet e kryera në disa nga ato kampe.

Haxhiç, i cili vdiq para përfundimit të gjyqit të tij, u akuzua për ndalim të paligjshëm të kroatëve dhe jo-serbëve dhe mbajtjen e tyre në kushte çnjerëzore.

Aktakuza pretendoi se disa mijëra civilë kroatë dhe jo-serbë të tjerë u mbajtën në burgje në Stajicevo, në kazermat e Ushtrisë Popullore Jugosllave në Zrenjanin në Serbi dhe në burgun ushtarak në Sremska Mitrovica.

Sandra Orloviç e Qendrës për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd tha për BIRN se edhe pse kishte shumë prova, prokuroria serbe kishte bërë shumë pak për të zgjidhur këto çështje.

“Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi nuk ka kryer hetime si duhet duke qenë se vetëm një person është dënuar për abuzime në Sremska Mitrovica. Nuk ka asnjë justifikim për këtë, duke qenë se krimet në Stajicevo, Begejci dhe Sremska Mitrovica janë disa nga krimet të dokumentuara më mirë nga lufta e viteve 1990,” tha Orloviç.

Marko Crevar, një ish-anëtar i forcave kroate të Serbisë, është i vetmi person që është dënuar. Ai u dënua me një vit e gjysmë burg në shkurt 2015 pasi pranoi se torturoi civilë në kampin e burgimit në Sremska Mitrovica.

Si Orloviç ashtu edhe Gruhonjiç dyshojnë për lajmërimin se do të ndërtohet një monument për viktimat në kampin Stajicevo.

“Do të ishte shumë e habitshme nëse kjo ndodh, duke qenë se kjo do të nënkuptonte pranimin e rolit që pati Serbia në luftën e viteve 1990. Deri më tani, kjo është mbajtur gjithmonë e fshehtë”, tha Gruhonjiç.

Duke qenë se Serbia nuk ka rregulla kombëtare që rregullojnë ndërtimin e monumenteve dhe memorialëve, çështje lihen të vendosen nga qeveritë lokale.

Një nismë për të krijuar legjislacionin kombëtar që rregullon çështjen e memorialëve filloi në fund të vitit 2014, kur Ministria e Punës hapi një debat publik për Projektligjin për Monumentet dhe Memorialet.

Qeveria miratoi projektligjin dhe ia dorëzoi atë asamblesë kombëtare për ta marrë në shqyrtim, edhe pse ende nuk është miratuar nga deputetët.

Drafti lejon ndërtimin e monumenteve që janë “në përputhje me traditën e luftërave serbe për çlirim kombëtar” – një formulim fjalësh që Orloviç tha se do të përjashtonte memorialët për viktimat e krimeve të luftës.

“Nëse kuvendi miraton atë, kjo do të nënkuptonte se nuk do të ketë asnjë mundësi për të kritikuar krimet serbe të luftës,” tha ajo.

Kosova, tabuja më e madhe

Nuk janë vetëm kampet e burgimit për të burgosurit kroatë të luftës që mbeten të pashënuar.

Autoritetet serbe kishin gjithashtu kampe për të burgosurit boshnjakë, ndërkohë që pas luftës në Kosovë, në Serbi u zbuluan një sërë varresh masive. Të gjithë këto vende mbeten të pashënuar, pavarësisht disa nismave nga OJQ-të e të drejtave të njeriut për ta ndrequr këtë.

Këtë vit, HLC-ja ndërmori një nismë për të ngritur memorialë në një qendër stërvitore policore në Batajnicë, ku në vitet 2001 dhe 2002 u zbuluan tetë varre masive me trupa shqiptarësh të Kosovës.

Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, u gjetën 704 trupa të plotë. Eshtrat e tyre u sollën në Serbi nga Kosova në përpjekje për të fshehur vrasjet nga forcat e Beogradit.

Përveç trupave të gjetur në Batajnicë, eshtra të shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës janë gjetur në liqenin Perucac, në një qendër policore në Petrovo Selo dhe në guroren e Rudnicës pranë Rashkës.

Rreth 1,700 njerëz, si shqiptarë të Kosovës ashtu edhe Serbë, konsiderohen endësi të zhdukur që nga lufta.

Prokuroria serbe deri më tani nuk ka ndjekur penalisht asnjë për zhvendosjen e trupave dhe përpjekjen për të fshehur krimin.

Edhe pse lufta në Kosovë përfundoi 17 vjet më parë, krimet kundër shqiptarëve nga ana e policisë serbe, ushtrisë dhe forcave paraushtarake rrallë diskutohen ende, tha Orloviç, duke e bërë më të vështirë fushatën për të krijuar memorialë për viktimat.

“Nisma për ngritjen e përkujtimoreve në Batajnicë do të jetë një proces që do të zgjasë me vite, duke qenë se krimet e Kosovës janë tabuja më e madhe në Serbi”, parashikoi ajo. /BIRN/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img