Sipas Blushit, lista u manipulua duke u reduktuar me afro 20 për qind, për të bërë të mundur pjesëmarrjen e cila duhet të jetë 50 plus 1.
Deputeti i PS-së u shpreh se socialistët refuzuan këtë referendum që i heq atyre të drejtën e votës. Ai theksoi se beteja për të rikthyer zgjedhjet dhe lirinë brenda PS-së do të vazhdojë pa u ndalur.
Reagimi i plotë i Ben Blushit:
“Sot nuk votova për referendumin që u sajua për të me hequr të drejtën e kandidimit personalisht mua dhe të drejtën e zgjedhjes gjithë anëtarësisë të Partisë Socialiste. Ky referendum u krye në shkelje të plotë të Statutit dhe rregullave të Partisë. Lista e zgjedhësve u manipulua duke u reduktuar me afro 20 për qind për të bërë të mundur pjesëmarrjen e cila duhet të jetë 50 plus 1 në mënyrë që referendumi të quhet i vlefshëm. Tre javë më parë lista e anëtarësisë ishte rreth 94 mije ndërsa sot ajo ishte 81 mijë.
Arbitrarisht në këtë referendum nuk u lejua të kishte palë kundër megjithëse ky është rregulli numër një universal i çdo referendumi. Nëse nuk ka palë nuk ka pse të ketë referendum dhe as pyetje të diskutueshme. Nuk u lejua të këtë fushatë nuk u lejua të ketë vëzhgues nuk u lejua të verifikohet lista e zgjedhësve dhe nuk u lejua të ketë numërues. Pyetja është kush e vëzhgoi këtë proces? Kush vendosi kush është dhe kush nuk është në listën e votimit? Kush do ti numëroje votat? Kjo dihet. Gjithë procesi u përgatit dhe u kontrollua nga Rilindja kundër Partisë Socialiste. Rilindja e organizoi e trukoi e vëzhgoi dhe do e numërojë.
Megjithatë nga shume socialistë cilët sot kanë vëzhguar procesin në mbrojtje të dinjitetit të tyre jam informuar gjatë gjithë ditës për shkeljet, abuzimet me listat, komisionet e ndryshuara, pjesëmarrjen fiktive dhe mbushjet e kutive sidomos në fshatra ku pjesëmarrja rezulton të jetë nën 30 për qind mesatarisht.
Nga të dhënat që kam mbledhur deri ne orën 14:00 rezulton se pjesëmarrja përveçse në Tiranë dhe Durrës pothuajse askund nuk ka kaluar 50 për qind të listës. Në Vlorë 39 për qind. Në Korçë 46 për qind. Ne Elbasan 41 për qind. Në Gjirokastër 38 për qind. Në Dibër 34 për qind. Në Shkodër rreth 40 për qind. Në Lezhë nën 40 për qind. Në Fier 48 për qind. Këto të dhëna natyrisht do përgënjeshtrohen por unë dua të falënderoj gjithë socialistët të cilët e refuzuan këtë referendum që i heq atyre të drejtën e votës.
Sigurisht që pas kësaj beteja për të rikthyer zgjedhjet dhe lirinë brenda PS-së do të vazhdojë pa u ndalur”. /Shekulli
The post Blushi: Referendumi një sajesë, ja abuzimet me listat e pjesëmarrësve appeared first on Lajminet.