Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, solemnisht ka dhënë betimin, para anëtarëve të Kuvendit komunal të Ferizajt. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të komunitetit fetar, të mekanizmave ndërkombëtarë civil e ushtarak, atyre të sigurisë vendore, shoqërisë civile dhe tjerë.
Ai i ka siguruar qytetarët se vazhdimësia e të arriturave të deritanishme, do të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të mandatit.
“Do të përpiqem dhe kam idetë dhe programin tashmë të njohur nga të gjithë, që në partneritet me qytetarët, subjektet politike, Kuvendin e Komunës, shoqërinë civile, elitën intelektuale e afariste të Komunës dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ambiciet tona t’i rrisim në nivel edhe më të avancuar. “, ka thënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Pas betimit të Kryetarit Agim Aliu janë betuar edhe asamblistët e zgjedhur.
Pas ceremonisë solemne është bërë edhe pranim dorëzimi i detyrës së të Parit të Komunës nga ish-Kryetari i Ferizajt z.Sfarqa. Gjatë dorëzimit të detyrës z.Sfarqa premtoi që ai dhe partia e tij do të jenë një opozitë konstruktive që do të ndihmojë në realizimin e projekteve për të mirën qytetare.
Para dhënies së betimit, Agim Aliu ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.