Pak ditë pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën përmes së cilës është caktuar edhe ekipi negociator për dialogun me Serbinë, ndërmjetësuesja e këtij procesi, Frederica Mogherini, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, me ç’rast ia ka bërë të ditur se në procesin e negociatave Kosova do të përfaqësohet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Por një kërkesë e tillë e zyrtarëve të BE-së është kundërshtuar ashpër si nga Qeveria, ashtu edhe nga partitë opozitare në Kosovë, shkruan sot Gazeta Zëri.
Derisa shefi i ekzekutivit ka thënë se ky qëndrim i BE-së është joobligativ për Kosovën, përfaqësuesit e Vetëvendosjes, të cilët megjithëse nuk kanë pranuar të jenë pjesë e delegacionit, kanë vlerësuar se BE-ja nuk mund t’i përcaktojë punët e brendshme të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, duke thënë se letra e zyrtarëve të BE-së paraqet një përpjekje për ta kontestuar kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës.
Porse një gjë të tillë, siç ata janë shprehur, Kosova nuk duhet ta lejojë në asnjë rrethanë.