Ferizaj

Banorët e Gërlicës pengojnë punimet në autostradën ‘’Arbën Xhaferi’’

By FerizajPress

February 07, 2017

Banorët e fshatit Gërlicë të komunës së Ferizajt, për 3 orë ndalen punimet që janë duke u realizuar në ndërtimin e autostradës ‘’Arbën Xhaferi’’, në shenjë proteste ndaj shkatërrimit të rrugës së këtij fshati, që sipas tyre, po ia banë makineria e rëndë e kompanisë ‘’Bechtel & Enka’’, e cila është e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e autostradës.

“Këta na i kanë prish rrugën, nëpër këtë rrugë nuk po mundemi me kalu me vetura vetëm me traktora apo me i mbath çizmet dhe me kalu, që tre muaj jemi duke u ballafaquar me ta, i kemi dërgu shkresa, i kemi paralajmëruar që ta rregullojnë rrugën se nuk jemi kundër punimeve të autostradës, nuk është në rregull ta rregullojnë autostradën e të na i prishin rrugët, kjo ndodh vetëm tek ne”,tha Sylejman Konushefci.

“Një mysafir me ardhë duhet ta lë veturën 2 kilometra larg ose me i mbath çizmet dhe me ardhë tek ne, janë duke më penguar edhe tek shtëpia, e kanë rregullu rrugën e kanë lënë pa gypa dhe tash oborri është mbushur me ujë, po ka kohë që u’a kemi bërë me dije se po na pengojnë dhe derisa nuk e rregullojnë rrugën do të dalim çdo ditë për t’i penguar punimet ”,tha Elmaz Trena.

Pas 3 orë proteste dhe ndalje të punës, përfaqësues të kompanisë ‘’Bechtel & Enka’’, dolën në vendin ku po mbahej protesta duke iu premtuar banorëve se rruga do të rregullohet, mirëpo banorët thanë se nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë protesta të tilla do të ketë çdo ditë, transmeton Televizioni Tema.