Banorët e fshatit Bibaj të Ferizajt kanë bllokuar autostradën “Arbën Xhaferi” e cila nga 270 hektarë tokë bujqësore u bllokon qasjen e rreth 80 hektarëve.Për këtë banorët thonë se duhet të kalojnë me kilometra të tërë për të punuar tokën e tyre. Ata më këtë protestë kanë ngritur këtë shqetësim dhe kanë kërkuar nga përgjegjësit që tu mundësohet një qasje përmes ndonjë nënkalimi.
“Protesta e sotme ka për qëllim që të ngriti shqetësimin e banorëve të fshatit Bibaj për bllokimin e pronave që po i bëhen banorëve më autostradën e cila nuk ka lënë qasje në këto prona.
Banorët e fshatit Bibaj deri më sot nuk e kundërshtuan këtë projekt pasi ishim edhe të shkelur edhe në çmimin e shpronësimit të pronave heshtëm.” tha Faton Haxhisalhu kryetar i fshatit Bibaj.
“Fshati Bibaj kufizohet me 270 hektar tokë bujqësore prej ku afër 80 hektarë mbeten në pjesën tjetër pa qasje. Janë tre rrugë që e lidhin gjithë këto pjesë të tokës . Pas bllokimit të rrugës së parë në heshtëm, heshtëm edhe për të dytën,por tek bllokimi i rrugës së tretë morëm vendim që të protestojmë. Arsye e kësaj proteste është se për të pasur qasje tek kjo pjesë e tokës duhet të shkohet deri në Talinoc dhe Pojatishtë. Këtë e bënë më shqetësuese fakti se tani është koha e të mbjellave e që si zonë bujqësore llogaritet zonë me rëndësi jetike për banorët e kësaj ane.” ka thënë Haxhisalihu
Haxhisalihu tha se për këtë është biseduar edhe me kryetarin e komunës Muharrem Svarqa të cilit ia kanë përcjellë këtë shqetësim të banorëve.
“Vullneti kryetarit është që asnjë pëllëmbë toke të mos mbetet pa qasje dhe e pa punuar dhe ka gatishmëri të ndihmoi në zgjidhjen e këtij problemi” tha Haxhisalihu.
“Banorët e fshatit Bibaj do të vazhdojnë protestën deri sa nuk do të gjendet një zgjidhje në qasje të pronave bujqësore” tha Abdullah Hyseni,banor i fshatit Bibaj.