28,04,2024

Banorët e Balajve protestojnë para objektit të komunës së Ferizajt

Must Read

Ferizaj.08.09.2017. Pas paralajmërimit të djeshëm të kryetarit të komunës së Ferizajt, se punimet për rregullimin e hapësirës së varrezave të qytetit në fshatin Balaj nuk do të ndalen, paraditën e sotme banorët e këtij fshati për afër dy orë qëndruan para objektit të komunës së Ferizajt, për t’ua bërë me dije pushtetarëve se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre, që varrezat e qytetit të mos zhvendosen në fshatin e tyre. Me këtë rast, banorët edhe një herë i kanë bërë thirrje kryetarit Svarqa që ta tërheqë vendimin që varrezat e qytetit të zhvendosen në Balaj, si dhe kanë kërkuar nga asamblistët që ta shfuqizojnë vendimin në fjalë.

“92 vjet i bana qet ven e kemi shfrytëzu vetë, edhe baba edhe katragjyshi, dikush marrke dru, dikush i kullotke lopët aty, jemi ba idare me këtë tokë, e sot jan çu po dojnë me na i pru varrrezat e Ferizajt në këtë vend, me na i zapu edhe këtë vend ne oborr e kemi, në këtë vend kemi dalë edhe me shtëpi aty, oborr e kemi ba, dikush e çel ni bunar, ai ujë i atyre varrezave ka me hi në atë bunar, për qeta jane dalë, për të gjallë aty varrezë nuk do të ketë”, tha Ejup Tahiri, banor i fshatit Balaj.

“Kryetari dje ka thënë që nuk i pengon qytetarët, atë vend që po e marrin për varreza është afër shtëpive tona, territori i fshatit Balaj është i vogël, ne vetëm atë vend e kemi, nuk e di apo mendojnë kur po i marrin këto vendime, duhet me analizu“, tha një banore tjetër.

“Nuk është hera e parë që kryetari Svarqa bënë kësi gjëra, niveli i tij është aq i ulët sa që nuk është i gatshëm të pres një delegacion me bisedu si njerëz, është duke i ikur ballafaqimit, kemi ardhë këtu prapë, nuk na përfillë, kjo po shihet çfarë niveli ka ra”, tha përfaqësuesi i fshatit Balaj, Zejnullah Ramadani.
“Jena dalë për këtë vend dhe kena me dalë deri në momentin e fundit, ose kemi me i lëshu shtëpitë të gjthhë ose kemi me mbrojtë atë vend”, tha Fetije Tahiri.

“Na fshati Balaj jemi një kohë të gjatë duke protestuar se këto varreza janë duke na i pru në derë të shtëpisë, aty dalin fëmijët, rruga na u ndërpritet, as fëmijët nuk mund të dalin sepse aty tani qarkullojnë kufoma e sene, unë kisha apelu te kryetari Svarqa, meqenëse 10 hektarë tokë kanë qenë të ndarë Nikadin tek kisha, është dokument, mirëpo ata e shitën atë, bën hajni dhe i prunën në fshatin Balaj, ato janë tokat tona që kanë qenë në një kohë”, tha një banor i fshatit Balaj
.
“Jam mundu me ardhë për vendin tim, vorret e gjithë Ferizajt ne nuk i durojmë sepse nuk kemi vend aty, e ata me na i pru vorret, ku dojnë le t’i qojnë në Jezerc, Kashtanjevë ku dojnë le t’i çojnë, e pse me i pru tek Baliqt”,tha një banore tjetër.

Ndërsa, drejtori i Infrastrukturës Gafurr Ilazi, ritheksoi se punimet nuk do të ndalen duke treguar se punëkryesi është sulmuar dhe kërcënuar nga banorët e fshatit Balaj.

“Para dy dite në rrugë na i kanë sulmuar edhe punëkryesin edhe punëtorin e komunës, një natë e kanë pasur një delegacion të cilit i janë kërcënuar dhe menjëherë të nesërmen janë dalë dhe e i kanë kërcënuar ja kanë prish bagerin, por ne i kemi thënë se do të jetë në mbrojtje të policisë dhe këto ditë është duke punuar me polici”, tha Ilazi.

Ndërkohë, në orët e pasdites përfaqësuesi i fshatit Balaj, Zejnullah Ramadani, u takua me kryetarin Muharrem Svarqa. Qëndrimi i tij për këtë çështje pas takimit me Svarqën, ndryshoi pothuajse tërësisht.

“Ne e patëm një takim shumë të sinqertë me kryetarin, e diskutuam këtë problem, e ngritëm në nivele që është problem pak për shkak të popullatës, mirëpo kryetari nuk heq dorë sepse pretendon që i ka të gjitha letrat që ne nuk dyshojmë që nuk i ka, ne i shprehëm shqetësimet tona, biseduam, por kryetari thotë se nuk ka mundësi tjetër, puna atje vazhdon ne do të shohim tash e tutje çka do të bëjmë”,tha Zejnullah Ramadani.

Banorët e Balajve i kanë bërë thirrje edhe presidentit Hashim Thaçi dhe Ministrisë së FSK-së, që të reagojnë karshi kësaj çështjeje. Po ashtu, ata kanë kërkuar që të dalë në terren edhe Inspektorati Komunal i Mjedisit si dhe Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor./Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dy të plagosur në Ferizaj pas të shtënave me armë

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në mesnatë. Rasti ka ndodhur në në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img