Kosovari 32 vjeçar Arben Gashi nga Nekoci i Drenasit, mendohet të jetë viktimë e gabimit të vrasësit nga Italia, i cili kërkonte një serb për të larë disa hesape të një problemi që kishin mes vete, kohë më parë. Ai u vra nga tre plumbat që iu shkrepen në trup nga një i dyshuar italian në kantonin zviceran të Solothurnit.
“Gazeta Express” ka qëndruar në Drenicë ku ka folur me babanë e të vrarit.
Të afërm e miq të familjes Gashi ia kanë mësyrë derën së shtëpisë së Ibish Gashit në fshatin Nekoc të Drenasit, për ta parë e ngushëlluar për djalin që iu vra, dy net më parë, në Zvicër.
Ibishi, rreth të 60-ave, po i pret te dera e oborrit gjithë dashamirësit që po i vinin, ndonëse të pamën ende s’e ka hapur, e as arkivolin me trupin e djalit të vdekur s’e ka pranë, për ta parë e për ta qarë. “Nuk e dimë saktësisht çka ka ndodhur. Edhe unë krejt i kam me të nime”, tha Ibish Gashi.
Ai tregon se i është thënë se vrasjen e djalit të tij e ka kryer gabimisht një i huaj duke menduar se kosovari ishte një shtetas serb me të cilin vrasësi kishte pasur telashe. Thotë se është i sigurt djali i tij nuk ishte njeri i problemeve.
“Jemi tu pritë shteti zviceran me na njoftuar për krejt çka ka ndodhë, mas ekspertizës që e bëjnë. E po pres edhe trupin e djalit të vdekur me ma pru ketë javë në Kosovë që me e varrosë”, vazhdon ai, i tronditur nga ndodhia që çoi në humbjen e djalit.
Lotët s’mundet t’i përmbajë, Ibishi, kur e kujton kontaktin e fundit më të birin, pak orë para se të dëgjojë se i është vrarë.
“Kam fol me ta, bash qatë natë. I thash që jam lodh tu punu ktu në katun, me disa punë. Më tha pije pak ujë babë masi që je lodh, e prishe ramazanin, masi që je tu punu”, kujton ai telefonatën e fundit me të birin, të hënën, para se të bjerë terri e ta hajë iftarin e fundit të Ramazanit.
Plaku thotë se nuk ka shumë informacione për të birin. Por, vetëm e di se i është vrarë nga një italian dhe se vrasja ka ndodhur gabimisht.
“Ka gjysma e natës, të hënën më ka thirr shoku i tij që është kanë me ta. Ja ka nis mem tregu, por e ka ndërpre telefonatën në gjysmë se s’ka mujtë me ma thanë”, kujton Ibishi Gashi, mesnatën e së hënës kur mori lajmin tronditës. Djeli i tij vetëm dy muaj më parë kishte shkuar në Zvicër.
32 vjeçari Arben Gashi, sipas mediave zvicerane, u vra në banesën e tij në komunën e Winznaut, në kantonin e Solothurnit. Vrasja e tij dyshohet se ka ndodhur gabimisht, pasi ai po banonte në banesën ku më herët kishte qëndruar një serb që kishte telashe më italianin.
Kosovari ishte duke bërë dush në banjë, derisa italiani ishte futur me revole duke shkrepur tre plumba mbi 32 vjeçarin nga Drenasi.
Vrasësi, Italiani 38 vjeçar, i arrestuar nga policia zvicerane ka pranuar krimin e kryer më 4 korrik, shkruan mediat zvicerane. Ndërsa autoritetet e Zvicrës janë në kërkim edhe të një personi tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar me të për ta kryer vrasjen.
Në momentin kur kishte ndodhur krimi, në banesë me Arben Gashin kanë qenë edhe dy kosovarë të tjerë, të cilët kishin arritur t’iu iknin atentatorëve, duke u hedhur nga dritaret.
Arben Gashi nga Nekoci i Drenasit, sipas familjarëve, kishte rreth 4 vite që jetonte në vendet gjermano folëse, Gjermani e Zvicër. I ndjeri në Kosovë ka qenë para dy muajsh.