Vetë Mustafa kishte fituar në zgjedhjet komunale të vitit 2007 duke u bërë kryetar i Gjilanit.
Por menjëherë pas disa muajsh, në komunën që ka drejtuar, sipas të gjeturave të Auditorit Gjeneral, kanë pasuar parregullsitë. Kontrata me mijëra euro janë vazhduar e para janë derdhur në llogari të kompanive të ndryshme sidomos asaj ‘Magjistralja’, vetëm me nënshkrim të Qemajl Mustafës.
Edhe pse ZAGJ-i vit pas viti i ka tërhequr vërejtjen se kjo është e paligjshme, ai ka vazhduar duke i dhënë kësaj kompanie para shpesh gati edhe një herë sa gjysma e kontratës së përgjithshme, raporton lajmi.net.
Lajmi.net sjell në vazhdim në pika të shkurtra disa nga të gjeturat e ZAGJ-it përgjatë viteve 2008-2011 për komunën e Gjilanit. Sidoqoftë,e dhe shumë shkelje të tjera janë evidentuar në këto raporte zyrtare si mungesa dokumentacioni e pranime teknike të objekteve, vepra të tjera infrastrukturore pa dokumentet përkatëse e mos ndëshkim të kompanive që kanë vepruar në dëm të komunës duke mos i kryer punët në afatet e caktuara me kontratë.
E çka është më kryesorja, në shumicën e rasteve, komuna është pajtuar me të gjeturat e ZAGJ-it, por njëkohësisht ka vazhduar me shkeljet e njëjta apo të ngjashme vit pas viti.
VITI 2008
ZAGJ– Projekti “Mirëmbajtja verore e rrugëve në Gjilan” e kompletuar nga kontraktuesi “N.N.T. Magjistralja”, në shumën totale sipas kontratës 76 mijë e 716 euro, pagesa i është bërë 132 mijë 216 ose 55 mijë 502 euro më shumë e kjo pa kontratë shtesë por me miratim të kryetarit të komunës për punët shtese për tu pranuar nga kontraktuesi.
Përgjigjja e menaxhmentit të komunës: Pajtohemi me rekomandimin e juaj se puna shtesë nuk duhet ta kalojë 10% e vlerës së kontratës. Por është tejkaluar vlera e kontratës sepse dëmtimet e rrugëve kanë qenë më të mëdha se parashikimet.
ZAGJ- Gjatë projektit“ “Ndërtimi i katit të konviktit të studentëve në Komunën e Gjilanit”, kontrata e nënshkruar në mes të Komunës dhe kompanisë N.T.P “Gjeokonsulting në vlerë 65 mijë e 141 euro ishte paraparë që punët të përfundojnë brenda 53 ditësh por kanë përfunduar në gusht 2009. Kompania është ndëshkuar me 1 mijë e 602 euro e jo me 6 mijë e 514 euro sipas kontratës për 11 muaj vonesë.
Përgjigjja e menaxhmentit të komunës: Në projektin “Renovimi i katit përdhes te konvikti i nxënësve” nuk kemi pasur bazë për ndëshkim sepse punë kryesit nuk i janë krijuar kushtet për punë për arsye se ne konvikt kanë qenë të vendosur refugjatët nga Lugina e Preshevës, kështu që ka pasur vonesa deri në sistemimin e tyre.
VITI 2009
ZAGJ- Për projektin “ Mirëmbajtja verore e rrugëve dhe trotuareve”, e kompletuar nga kompania “N.N.P. Magjistralja”, më shumë totale sipas kontratës prej170 mijë e 413 euro, ndërsa shuma totale e paguar për këtë kontraktor ishte 195 mijë e 000 euro, duke tejakuar shumën e kontrates për 24 mijë e 587 euro. Për këtë nuk është gjetur ndonjë kontratë shtesë, përveç një miratimi nga kryetari i komunës për punët shtese për tu pranuar nga kontraktuesi.
Përgjigjja e menaxhmentit të komunës: Të ky projekt vazhdimi i punëve me të njëjtin kontrator është bërë me rekomandim të kryetarit të komunës sepse ka pasur dëmtime të pa parashikuara të rrugëve.
ZAGJ- Për projektin “ Ndërtimi i aneksit të kopshtit të qytetit” në mes të komunës dhe furnitorit “AAP Architects” të datës 17 gusht 2009 në shumën prej 7 mijë e 850 euro, mungon afati kohor brenda të cilit duhet kryer punimet.
Përgjigjja e menaxhmentit të komunës: Pajtohemi me rekomandimet e auditit.
VITI 2010
Në raportin e vitit 2010, ZAGJ-i kryesisht ka gjetur shumë parregullsi në procedura të ndryshme që fillonin nga kurorëzimet e kontratat e punës me punëtorët e administratës e deri tek pasqyrat financiare. Për të gjitha këto, menaxhmeti i komunës ka dhënë vetëm një përgjigje. “Menaxhmenti i Komunës së Gjilanit i ka pranuar të gjeturat dhe konkluzionet tona të paraqitura në raportin e auditimit mbi Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2010 dhe është zotuar që do ti bëjë përpjekjet për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e dhëna”, ishte përgjigjja e vetme e tyre.
VITI 2011
ZAGJ- Zyra e Kryetarit ka aprovuar dhënien e disa në vlerë totale prej 17 mijë 830 euro. Bazuar në shtatë vendimet e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, gjatë periudhës mars-dhjetor 2011 janë ndarë subvencione në shumë prej 43 mijë 287 euro për zhvillimin e aktiviteteve të Teatrit të Qytetit në Gjilan.