Të hënën në fshatin Rahovicë të Komunës së Ferizajt, ka filluar të bëhet asfaltimi i rrugëve të këtij fshati.
Nga afër punimet në këtë asfaltim i ka përcjellë kryetari Muharrem Svarqa, së bashku me nënkryetarin Xhavit Zariqin, deputete të Kuvendit të Kosovës, por edhe drejtorin e infrastrukturës, Gafurr Ilazin.
Me këtë rast kryetari Svarqa, është shprehur se ndjehet tejet i lumtur që kanë filluar se realizuara edhe projektet e parë të këtij viti, duke shfrytëzuar kështu edhe motin e mirë që po mbretëron gjatë këtyre ditëve.
“Ne po fillojmë të realizojmë projekte shumë voluminoze dhe të cilat kapin investime mbi 8 milion euro vetëm nga buxheti i komunës së Ferizajt, ku do të shtohen edhe investime mbi 3 milion euro që vinë nga Ministria e Infrastrukturës, pa llogaritur këtu edhe investimet kapitale të ministrie të tjera, të cilat i kemi përfituar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Unë i uroj banorët e fshatit Rahovicë, për këto rrugë dhe shpresoj se tani e tutje banorët do të kenë lehtësi të jetës dhe një qarkullim të lirë të banorëve”, ka thënë kryetari Svarqa.
Kryetari Svarqa, tutje ka thënë se viti 2017 do të jetë vit i investimeve në qytete sepse, tashmë po përmbyllet edhe cikli i investimeve nëpër fshatra, duke llogaritur kështu edhe vazhdimin e projekteve të viteve të mëparshme, por edhe të vitit që sapo e lam pas.
“Projektet më të rëndësishme që përshkojnë këtë vit Ferizajn, janë investimet që do të realizohen për rregullimin e qendrës së qytetit, në segmentin e qendrës nga udhëkryqi tek tregu i gjelbërt në drejtim të qytetit, duke përfshirë edhe sheshin para komunës, për të vazhduar më vonë në kompleksin e kulteve tek kisha e xhamia, në drejtim të shkollës ekonomike, në mënyrë që të kemi një qytete atraktiv. Ne do të punojmë që projektet që i kemi të tenderuara për zgjerimin e rrugëve me katër korsi, dhe me tri korsi, siç është rruga “Bajram e Gursel Sylejmani”, rruga “Reçakut” dhe rruga “Cen Dugolli” do të jenë rrugë që do t’i japin frymë qarkullimit më të lirë jo vetëm të qytetarëve, por edhe të automjeteve, dhe besoj që qyteti i Ferizajt do të merr pamje krejtësisht të re dhe një funksionalitet jashtëzakonisht më të mirë të komunikacionit se sa që ka pasur ndonjëherë në historinë e tij’, ka thënë kryetari Svarqa.
Nga ana tjetër edhe banorët e këtij fshati kanë mirëpritur realizmin e asfaltimi të rrugëve të tyre, duke thënë se një asfaltim i tillë është dashur të bëhet qysh më parë.
U bë e ditur se asfaltimi i rrugëve në fshatin Rahovicë, komunës së Ferizajt, i ka kushtuar 150 mijë euro, ndërsa gjatësia e këtyre rrugëve është rreth 3 kilometra.