Gjatë takimit të sotëm në Brukse, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjithashtu janë pajtuar edhe për një mekanizëm që do ia pezullonte liberalizimin e vizave Gjeorgjisë dhe Ukrainës, si kusht për implementimin e marrëveshjes për vizat.
Tani pritet që në takimin e radhës, ministrat e BE-së të miratojnë të dy vendimet e sotme.
Diplomatët e BE-së i kanë thënë REL se ata besojnë që gjeorgjianët të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza në fund të muajit mars, ndërsa mekanizmi i pezullimit të kësaj mundësie futet në funksion në të njejtën kohë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Gjeorgjinë në dhjetor të vitit 2015, por ky propozim është pritur me skepticizëm nga disa vende anëtare.
Parlamenti evropian e ka përkrahur në masë të madhe këtë të drejtë për Gjeorgjinë gjatë votimit që është mbajtur në muajin shkurt.
Mekanizmi për pezullimin e liberalizimit është i hartuar në atë formë që ta pezullojë këtë të drejtë me shpejtësi në raste të caktuara, nëse ka rritje të madhe të kërkesave për azil apo në rast të përballjes me ndonjë kërcënim nga qytetarët e vendeve të treta.
Të kujtojmë se edhe Kosova ishte në “pako” me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për heqjen e vizave, por mos ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi i ka lënë kosovarët të izoluar.