18,05,2024

AKV ‘’Kastriotët’’ shënoi  50 vjetorin e themelimit

Must Read

Ferizaj.30.09.2017. Ansambli i këngëve dhe i valleve “Kastriotët” nga Ferizaj, me dy aktivitete masive shënoi sonte 50 vjetorin e themelimit. Për të shënuar gjysmë shekulli veprimtarie u desh një punë e gjatë dhe mundimshme, por artdashësit ferizajas kaluan të gjitha pengesat dhe shënuan këtë jubile në mënyrë madhështore.
Këto aktivitete u ndihmuan nga komuna e Ferizajt dhe u udhëhoqën nga Këshilli Organizativ në krye të të cili ishte kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa.
I pari i Ferizajt sonte edhe e shpalli të hapur këtë solemnitet dhe iu drejtua publikut me fjalet më të mira për rrugëtimin 50 vjeçar të këtij Ansambli.
“ Pesëdhjetë vjet më parë, unë dhe moshatarët e mi kemi qenë fëmijë që rriteshim vetëm me ato pak libra të shkollës, me ndonjë transistor të rrallë në lagje dhe me shumë thashetheme për rrjedhat shoqërore në komunën dhe në vendin tonë. Vetëm pak vite më vonë, emri i shoqërisë kulturore artistike “Kastriotët”, u bë jo vetëm emblemë e cilësisë së muzikës popullore në Ferizaj, por edhe një nga shtyllat e jetës kulturore në këtë komunë dhe përtej saj.

Sot, pesëdhjetë vite më vonë, jemi në një gjendje krejtësisht tjetër të zhvillimeve shoqërore e kulturore. Por, ashtu si atëherë, edhe sot ansambli i këngëve dhe valleve “Kastriotët”, vazhdon të jetë pjesë shumë e rëndësishme e identitetit kulturor e shoqëror të Ferizajt.

Është një vlerë, si ajo e verës: sa më e vjetër, aq më e mirë. Janë disa breza të ferizajasve që janë rritur me këtë ansambël. Janë disa breza edhe të anëtarëve të këtij ansambli, që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, për të na e sjellë këtë trupë në ditët tona me identitet të theksuar.

Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre këngëtarëve, valltarëve, udhëheqësve, pedagogëve, sponsorëve, mbështetësve dhe gjithë ferizajsve dhe të tjerëve, që mundësuan hapërimin me sukses të këtij ansambli në këto pesë dekada” tha kryetrai Svarqa.
Ai më tutje shtoi se zëri i lindur 50 vite më parë i kësaj shoqërie nuk do të shuhet asnjëherë. Shprehu zotimin se vlerat e mirëfillta kulturore do të gjejnë përkrahje kurdoherë.

“ Nuk ka asnjë dyshim se ato vlera të krijuara me aq shije e përkushtim gjatë gjithë kohës, do të jenë bazament i respektueshëm, për të vazhduar edhe më tej me krijimtari të një cilësie të tillë, sa të bëhet pjesë e pandashme e edukimit muzikor dhe estetik edhe në kohët e ardhme. Ne ferizajasit, e kemi për obligim mbështetjen e ansamblit të këngëve dhe valleve “Kastriotët”, jo vetëm për historinë shumë të pasur të tij, por në radhë të parë për pritjet që ky ansambël edhe më tej të jetë në ballë të krijimtarisë artistike, në ballë të krijimit dhe masivizimit të vlerave muzikore, me taban të fortë kombëtar, në një kohë kur jemi dëshmitarë të çoroditjeve nga më të shëmtuarat në këtë lëmë.

Presim edhe më tej që “Kastritotët” të jenë një zë i pastër i kultivimit të krijimtarisë popullore autoktone dhe i popullarizimit të kësaj krijimtarie. Besoj thellësisht se ne ferizajsit do të jemi në krah të këtij ansambli, duke e mbështetur dhe duke shijuar krijimtarinë e tij. Edhe një herë dua t’i falënderoj të gjithë ata krijues, artistë, pedagogë e punonjës kulture, që i dhanë kontribut rrugëtimit të suksesshëm të “Kastriotëve”, ndërsa ansamblit i uroj ngritje të vazhdueshme në të gjitha aspektet” përfundoi ai.

Gjatë spektaklit të sontëm veq solistëve e vallatarëve nga AKV “Kastriotët” me disa pika artistike u paraqitën Ansambli i këngëve e i valleve nga Shqipëria, Ansambli kombëtar ‘’Shota’’ nga Prishtina, dhe Ansambli “Ibe Palikuqi” nga Shkupit. Pjesëmarrjen në këtë evenimet e kishte konfirmuar edhe Ansambli i Bursës nga Turqia, por për shkak të një aksidenti trafiku, ku ka humbur jetën një pjesëtar i këtij ansambIi, pjesëmarrja është anuluar.
Ndërkaq në orët e pasditës këta pjesëmarrës kanë defiluar nëpër qendër të Ferizajt për t’u njohur me vlerat kulturore të qytetit, por edhe për të shpalosur identitetin e tyre kulturor.

  

  

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet i dyshuari i dytë për rastin ‘’Vrasje e mbetur në tentativë’’

Me datën 26.04.2024 rreth orës   23:30 policia e stacionit në Ferizaj kishte pranuar një informatë se në rrugën "...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img