Me rastin e 17-vjetorit të Betejës së Koshares, Posta e Kosovës ka vënë sot në qarkullim dy pulla postare me imazhet e heronjve Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.
Beteja e Koshares është një prej betejave më të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Agim Ramadani dhe Sali Çekaj janë dy prej figurave më të shquara të UÇK-së. Vepra dhe sakrifica e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës janë pjesë e ndritur e historisë së popullit tonë me të cilën krenohemi të gjithë.
Për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, luftëtarët e lirisë Agim Ramadani dhe Sali Çekaj janë nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës”.
Emetimi i pullave postare me portretet e dy dëshmorëve është një nder i veçantë për Postën e Kosovës. Ato do ta rrisin edhe më shumë vlerën e Filatelisë së Postës së Kosovës.
Vlerat tona historike dhe kombëtare do të promovohen edhe në të ardhmen përmes imazheve të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.