Vaji i kokosit përdoret për shumëçka ditët e sotme. Por, a është në të vërtetë zgjedhje e shëndetshme apo vetëm një trend kalimtar?
Në një sondazh të kohëve të fundit, 72% e amerikanëve mendojnë se vaji i arrës së kokosit është një ushqim i shëndetshëm. Ama, pavarësisht opinionit publik, Shoqata Amerikane e Zemrës, ka këshilluar kundër përdorimit të këtj vaji, pasi rrit nivelet e kolesterolit LDL dhe shkakton sëmundje të sistemit kardiovaskular.
“Vaji i arrës së kokosit vendoset diku në mes të spektrit të yndyrnave. Është më i mirë sesa vajrat e hidrogjenizuar, por jo aq i mirë sa vajrat e pasaturuar, si vaji i ullirit ose i kanolës,” thotë Willet, profesor i ushqyerjes në Harvard.
Vaji i arrës së kokosit nxirret nga tuli i frutit dhe përmban më së shumti yndyrna të saturuara, të cilat gjenden në sasi të mëdha në gjalpë dhe mish të kuq.
Si të gjithë yndyrat e tjera të saturuara, vaji i arrës së kokosit rrit nivelet e kolesterolit LDL, llojit të pashëndetshëm që shoqërohet me rrezik të rritur për sëmundje të zemrës.
Gjithashtu, vaji i arrës së kokosit rrit dhe nivelet e kolesterolit HDL, llojit të mirë.
Një lugë gjelle vaj kokosi përmban 117 kalori, 14 gram yndyrë, 12 gr yndyrë të ngopur dhe nuk ka vitamina apo minerale.
Pavarësisht këtyre, ky vaj nuk është më i miri për t’u konsumuar, pasi ka lloje të tjera që ulin nivelet e kolesterolit të dëmshëm dhe rrisin ato të kolesterolit të dobishëm.
Karakteristikë e tij unike është se ka një pikë shkrirje të lartë: ai shkrin në temperaturën 25 gradë C. Kjo do të thotë që është në trajtë të ngurtë në temperaturë dhome.
Për ta shkrirë atë zhysni ambalazhin e vajit të arrës së kokosit në një enë me ujë të ngrohtë dhe ai do të shkrijë pas pak çastesh.
Vaji i kokosit po bëhet i favorshëm për vegjetarianët, të cilët preferojnë t’i marrin yndyrat e ngopura nga ushqimet bimore
Kujdes! Nuk duhet të vendoset në mikrovalë apo sobë, sepse do të ndikonte tek vetitë e tij kuruese.
Në kontrast me dilemat që shoqërojnë vajin e arrës së kokosit si ushqim, në aspektin kozmetik, mbetet ndër zgjedhjet më të shëndetshme e natyrale.
Qoftë si hidratues, maskë flokësh apo pastrues dhëmbësh, vaji i arrës së kokosit është më i dobishëm sesa produktet e tjera kozmetike.