Mediat e Gjermanisë raportojnë se 17 vjeçari i cili është vrarë nga policia pasi ka sulmuar pasagjerët e një treni në landin jugor të Bavarisë nuk ka qenë afgan, por nga Pakistani.
Televizioni shtetëror gjerman, ZDF ka raportuar të mërkuren se dokumentet e gjetura në dhomën ku ka jetuar ai tregojnë se ai kishte nënshtetësi pakistaneze dhe jo afgane siç është raportuar më parë.
Adoleshenti, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ka sulmuar pasagjerët në një tren në afërsi të qytetit bavarez të Ëuerzburgut më 18 korrik, duke lënduar së paku pesë persona.
Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, derisa iu është drejtuar gazetarëve në Berlin më 20 korrik, ka thënë se “ka të dhëna që thonë se ai ndoshta nuk ishte fare afgan, por nga Pakistani”.
Por ministri gjerman ka insistuar se regjistri zyrtar tregon se vendi i tij i lindjes ka qenë Afganistani.
Ambasadori afgan në Gjermani, Hamid Sadeq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë mbrëmë se sulmuesi nuk ka qenë qytetar afgan, duke shtuar se disa refugjatë pasi kanë ardhë në Evropë janë regjistruar si qytetar të Afganistanit për qëllim të përfitimeve ligjore dhe financiare.
Grupi militant, Shteti Islamik që e ka marrë përsipër sulmin, e ka publikuar një video të personit që dyshohet se është autori i sulmit në trenin gjerman. Por, autoritetet gjermane insistojnë se adoleshenti në fjalë nuk duket se kishte lidhje me grupin IS.