Presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli gjatë ditës së sotme ka vendosur lule në Nicë të Francës, ku javë më parë humben jetën 84 njerëz nga sulm terroristë. Pacolli në një postim në Facebook ka treguar se këtë veprim e ka bërë për tu solidarizuar me popullin e këtij vendi.
Ky është statusi i plotë i Pacollit në Facebook:
Miq, jam në Nisën e përhumbur, për të vendosur lule tek vendi famëkeq ku u shuan aq jetë e ndër ta edhe shumë femijë. Jam këtu për t’u solidarizuar me popullin, për të shprehur keqardhje të thellë për humbjen e kaq shumë njerëzve në mënyrë kaq brutale.
Është shumë e pakuptimtë vdekja e këtyre njerëzve të pafajshëm e aq më tmerr përdorimi i trupave të tyre për të shfryrë çfarëdolloj mllëfi egërsie, pa marrë parasysh ngjyrimin që mund t’i japim. Kjo tragjedi njëherësh të rikujton gjenocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar, historikisht deri të lufta e fundit, të rikujton tragjedinë e 11 Shtatorit në SHBA, në Paris, në Gjermani, tragjeditë e luftërave në Afganistan, Irak, Palestinë, Siri, luftërat nëpër shtetet Afrikane.
Kjo luftë e njeriut me vetveten, ky terror makabër i ushtruar në Evropën e këtyre ditëve, dhe më e fundit ajo që ndodhi edhe në Turqi, po na paralajmëron për rreziqet me përmasa katastrofale që po i kanosen njerëzimit nga vetë njeriu. Perëndia qoftë me ne.