Prej gati 1 muaji territori i vendit monitorohet nga ajri nga një avion i Interforcës italiane, për zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thonë për Top-Channel se monitorimi ka nisur që në datën 25 qershor dhe informacionet e marra i janë përcjellë drejtorive të policive në qarqe, të cilat janë angazhuar në plane operacionale për asgjësimin e bimëve.
Por statistikat zyrtare të policisë flasin për një rritje masive të kultivimit të hashashit për këtë vit. Deri më tani, kur jemi në pikun e sezonit, konfirmohet se janë asgjësuar rreth 725 mijë rrënjë kanabis, shifër kjo që ka tejkaluar edhe totalin e vitit të kaluar, kur gjithsej u asgjësuan rreth 690 mijë bimë.
Burime nga policia thonë se zonat më problematike të evidentuara mbeten ato në jug të vendit, si dhe zonat e thella në veri.
Sipas uniformave blu, gjasat janë që këtë vit numri total i bimëve të asgjësuara të kalojë shifrën prej 1 milion pasi sipërfaqet e mbjellja janë dyfishuar.
Ndërkohë, deri më tani policia ka vënë në pranga edhe 120 persona të cilët janë arrestuar si autorë të kultivimit të parcelave me kanabis.
Ndryshe nga vitet e kaluara, policia këtë vit nuk ka servirur ende për mediat pamje nga fotografimet nga ajri të Interforcës italiane, apo filmime të asgjësimit të bimëve me anë të djegies në vend në zona të thella.
.