Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 5 korrik, lejon autoritetet të kthejnë mbrapsht cilindo që kapet 8 kilometër brenda gardhit, por në praktikë autoritetet siç raportojnë mediat e huaja po kthejnë në Serbi edhe ata emigrantë që kapen brenda Hungarisë, në Budapest apo qytete të tjera.
Sakaq situata është dramatike në anën e kufirit serb, kur mijëra po vuajnë nga uria, kushtet e tmerrshme dhe temperaturat e larta.
Një operacion masiv sigurie, që përfshin 10.000 policë dhe ushtarë, është në proces përgjatë kufirit jugor të Hungarisë me Serbinë për të penguar të gjithë emigrantët që tentojnë të hyjnë nga Serbia në Hungari.
Forcat e Armatosura janë vendosur për të përforcuar 175 km vijë kufitare, e cila tashmë është e mbrojtur me një barrierë me tela me gjemba e ngritur gjatë vitit të kaluar, pikërisht në kohën e pikut të fluksit të klandestinëve që përdornin rrugën ballkanike për të udhëtuar drejt vendeve perëndimore dhe veriore të Evropës.
Rregullat e reja kanë hyrë në fuqi më 5 korrik, por deri në këtë datë rreth 130 persona mesatarisht kanë kaluar gardhin çdo ditë.
Ligji i ri lejon autoritetet të kthejnë mbrapsht cilindo që kapet duke tentuar të hyjë në Hungari, ose më saktë që kapet 8 kilometër brenda gardhit, por në praktikë autoritetet siç raportojnë mediat e huaja po kthejnë në Serbi edhe ata emigrantë që kapen brenda Hungarisë, në Budapest apo qytete të tjera.
Kthimet zakonisht bëhen natën, nëpërmjet portave të gardhit me tela me gjemba.
Veprimet hungareze kanë shkaktuar një situatë të vështirë në Serbi, ku rreth 1 mijë persona qëndrojnë nën temperatura të larta në pritje për të kaluar kufirin me Hungarinë legalisht nëpërmjet dy pikave të tranzitit Horgos dhe Kelebia.
Kushtet në kampin e Horgos janë të tmerrshme. Shumica e emigrantëve janë afganë, kurse sirianët dhe irakianët janë strehuar në kampin e Kelebias.
Në kampe ka dy çezma, ku që në mëngjes radhët janë të gjata. Ka 12 tualete për rreth 10 mijë njerëz, teksa radhë të tjera dhe më agresive formohen në momentin kur një xhip nga Kryqi i Kuq i Serbisë arrin për të furzinur me bukë emigrantët.
Pra kushtet e tyre janë të mjerueshme, nga i ftohti kanë kaluar në vapë, sërish të uritur dhe pa asnjë kusht higjeno-sanitar.
Sipas UNHCR-së, situata është problematike, ku shumica e emigrantëve ushqehen me çaj, patate te pjekura apo misra të pjekur. Javën e kaluar një djalë 10-vjeçar afgan u mbyt teksa po lahej në një rezervuar aty pranë.
UNHCR-ja po ndërmjetëson me autoritetet serbe dhe hungareze për vendin se ku mund të varroset fëmija. Qeveria hungareze do të mbajë një referendum më 2 tetor për kuotat e rishpërndarjes së refugjatëve të propozuara nga Komisioni Evropian.
.