Deri më tani kemi dëgjuar raste të shumta ku meshkujt kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi kanë ndjekur dhe kërcënuar shumë vajza, kryesisht moshë shumë më të vogël se ata. Por, sot Policia e Tiranës sjell një tjetër rast ku e arrestuara është një grua 48-vjeçare.
Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë me dije se u arrestua E. Idrizi. Mësohet se kjo e fundit, për rreth një vit me radhë ka përndjekur të riun me iniciale F.P., duke i shkaktuar atij edhe shqetësime në familje. Sakaq, burime pranë uniformave blu sqaruan se kallëzimi në polici është bërë nga familjarë të 31-vjeçarit.
Menjëherë pas kësaj, efektivë të Komisariatit Nr.2 bënë të mundur edhe vënien në pranga të gruas 48vjeçare. Të njëjtat burime pohuan se të dy këta persona i kanë banesat në të njëjtën lagje. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së saj Idrizi nuk e ka pranuar akuzën që i është ngritur.
Ajo është shfaqur e habitur teksa merrej në pyetje, duke sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me 31-vjeçarin F.P. dhe familjen e tij. Ndërsa, burimet e sipërpërmendura thanë më tej se shkak i ngjarjes mund të ketë qenë një lidhje që ata mund të kenë pasur me njëri-tjetrin.
“Më datë 10.07.2016, u arrestua në flagrancë shtetasja E. Idrizi, vjeç 48, banuese në Tiranë, pasi ka përndjekur në mënyrë sistematike, duke i shkaktuar shqetësime në familje, shtetasit F.P., 31 vjeç, banues në Tiranë”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Kurse, familjarë të 31-vjeçarit kanë treguar në polici se ndiheshin tepër të shqetësuar sa herë që përballeshin në rrugë me Idrizin, pasi sipas tyre, kjo e fundit edhe i kërcënonte ata./Gazeta Shqiptare/