23,11,2024

Formula e re e kompromisit, nuk preket Vetingu, skanim i paanshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Must Read

Një ditë pasi ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, la në tryezën e Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha një draft të ri hibrid, është zbardhur dhe formula e kompromisit për reformën në drejtësi. Propozimi i ri i amerikanëve ruan ngritjen e komisionit “ad hoc” që do të votojë anëtarët e institucioneve kushtetuese, por për seleksionimin e kandidaturave ia ngarkon operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Drafti i ri që iu është propozuar palëve politike parashikon ngritjen e komisionit “ad hoc” me numër të barabartë anëtarësh, kjo e përshtatur sipas propozimit të fundit të Partisë Demokratike. Më konkretisht, propozimi i ri përfshin ndërkombëtarët në vlerësimin dhe përpilimin e listës së gjykatësve të vetingut, ndërsa Partia Demokratike i përcaktonte ndërkombëtarët si “rojtarë të transparencës”, ndërsa të drejtën e seleksionimit të kandidatëve ia ngarkonte një grupi pranë Gjykatës Kushtetuese. Burimet thanë se propozimi i ri garanton skanimin e paanshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve falë mbikëqyrjes së rreptë të komisionit që përbëhet nga anëtarë të opozitës dhe mazhorancës dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët nuk do të jenë thjesht në rol mbikëqyrës, por dhe mund të skualifikojnë kandidatura. Ky propozim nënvizon se seleksionimi i kandidaturave për anëtarët e institucioneve që do të bëjnë vetingun si: Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit do të bëhet nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit, duke lënë në fuqi parashikimet e bëra aktualisht në draftin kushtetues e duke rrëzuar formulën e PD-së, e cila kërkonte që ndërkombëtarët të ishin roje të procesit të seleksionimit të kandidaturave. Por formula e amerikanëve ka përfshirë edhe një pjesë të propozimit të opozitës, duke përcaktuar se 12 anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit do të zgjidhen nga një komision me përbërje të barabartë opozitë-mazhorancë. Mësohet se propozimi i bërë dy ditë më parë nga Nuland për këtë pjesë është në përgjithësi i njëjtë me formulën e publikuar nga demokratët pak ditë më parë, e cila do të aplikohet edhe për tri institucionet e tjera: për Kolegjin e Apelimit, Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Bazuar mbi propozimi i ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, 12 komisionerët që do të realizojnë vetingun do të filtrohen nga ndërkombëtarët dhe mazhoranca e opozita do të zgjedhin secila nga 6 komisionerë. Votimi është i fshehtë dhe elektronik. Në fund të votimit, sistemi shfaq listën e kandidatëve të përzgjedhur. Ndërsa votimi në Kuvend i anëtarëve të sistemit të drejtësisë, do të bëhet me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Nëse lista rrëzohet në votim, fillon faza e përzgjedhjes me një listë të re prej 12 anëtarësh. Për demokratët, votimi i dytë, më pas dhe ai i tretë, kryhet me një mazhorancë që vjen në ulje. Pra mund të niset me dy të tretat, zbret me tre të pestat, pastaj me shumicën absolute. Sakaq, vlerësimi i anëtarëve të Vetingut, sipas propozimit parashikohet që të mos bëhet nga Gjykata Kushtetuese. Për PD-në, kjo është një formulë e cila nuk ka bllokim, sepse po të jetë e nevojshme mund të ulet mazhoranca deri në atë pikë sa nëse vihet në dyshim një mazhorancë 50 plus 1, atëherë vihet në dyshim mazhoranca në Kuvend e për rrjedhojë nuk ka as qeveri. Bëhet me dije se dy ambasadorët, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, dhe ajo e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, iu kanë parashtruar palëve propozimin e tyre të ri për të zgjidhur ngërçin e krijuar për reformën në drejtësi. Kjo nënkupton që partnerët ndërkombëtarë po bëjnë të gjitha përpjekjet për implementimin e rekomandimit 88 të Venecias. Për të afruar palët për kompromis, SHBA e BE kanë lëvizur nga vija e kuqe e njoftuar më parë nga kryeministri. Më herët, kryeministri e konsideroi komisionin “ad hoc” si kalim nga vendet e rezervuara te vendet e blinduara. Burime nga PD-ja bëjnë me dije se kjo formulë është në tryezën e palëve për negocim të mëtejshëm me qëllim detajimin e saj.

Ndryshimet e propozimit të PD-së

– Hapi i parë është shpallja e vakancave, mbi bazën e kritereve të bëra publike dhe transparente për të gjithë. Ai që shpall vakancën të jetë Presidenti, por mund të jetë edhe Avokati i Popullit. Më pas dosjet e aplikantëve përcillen jo te Gjykata Kushtetuese, por te operacioni ndërkombëtar i monitorimit

– Hapi i dytë është vlerësimi dhe vetingu.

– Hapi i tretë do të jetë që kreu i Gjykatës Kushtetuese do të zgjedhë me short trupin gjykues të përbërë prej tre anëtarëshe, jo për të gjithë institucionet

– Hapi i katërt, përzgjedhja e kandidatëve nga Kuvendi. Kjo të bëhet nga një komision ad-hoc me 12 anëtarë, ku 6 nga mazhoranca dhe 6 nga opozita. Votimi është i fshehtë dhe elektronik. Në fund të votimit, sistemi shfaq listën e kandidatëve të përzgjedhur.

– Hapi i pestë është votimi me shumicë të cilësuar.

– Hapi i gjashtë, përsëritja e votimit. Nëse lista rrëzohet në votim, fillon faza e përzgjedhjes me një listë të re prej 12 anëtarësh./Shqip

Rama-Basha-reforma-ne-drejtesi

Victoria-Nuland-Donald-Lu

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img