Ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, ua ka bërë të qartë udhëheqësve shtetërorë kërkesat që duhet t’i plotësojë Kosova për të arritur perspektivën evropiane.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proceset integruese evropiane dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë tema diskutimi në takimet e ndara që ajo pati, të dielën, me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, gjatë vizitës njëditore në Prishtinë.
Në takimet, ajo pohohet të ketë theksuar rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës.
Zyrtarja amerikane takimet i ka mbajtur të mbyllura, ndërsa pas tyre nuk ka komunikuar me mediet.