Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka kujtuar sot gjatë faljes së namazit të Bajramit të madh sakrificën që myslimanët kanë bërë në tridhjetë ditët e Ramazanit, si përkushtim besnikërisë ndaj Zotit, ka thirrur për paqe e dashuri midis njerëzve.
Sot, mijëra besimtarë në gjithë Kosovë kanë falur namazin e Bajramit të Madh, duke shënuar kështu fundin e muajit të sakrificës, që myslimanët kudo në botë, ia kushtojnë përkushtimit ndaj besimit në Zotin, mirësisë, paqes e dashursë midis njerëzve.
Urrejtja e vrasjet nuk kanë asnjë lidhje me fenë islame, tha myftiu Tërnava gjatë fjalimit të tij para besimtarëve që kishin mbushur Xhaminë e Madhe dhe hapësirat para saj në Prishtinë.
Ai rikujtoi vrasjet në emër të fesë që po ndodhin gjithandej nëpër vendet myslimane si dhe në qytete të tjera në Europë, duke përmendur ajete të Kur’anit që dëshmojnë se ato nuk kanë lidhje me besimin islam.
Ai thirri për paqe , tolerancë midis njerëzve. Mirësia e dashuria, tha ai, janë porositë që Zoti ua ka dërguar njerëzve përmes Kur’anit.
Ai disa herë në fjalimin e tij i është kthyer krimeve që po ndodhin gjoja në emër të fesë, duke i cilësuar ato si mëkate që do t’i ndëshkojë Zoti, e që nuk kanë asnjë lidhje me islamin.
Islami është një fe, e cila i është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit, shtoi myftiu Tërnava.
Ai po ashtu është lutur për mëshirë dhe begati për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të mbarë trojeve shqiptare, por edhe për të gjithë njerëzimin.
Namazi i Bajramit të Madh (Fitër Bajramit) është mbajtur gjithandej në të gjitha xhamitë e vendit.
Nga ora 9 deri në orën 12 pritje në selinë e Bashkësisë Islame, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava do të presë, sipas traditës tashmë të vendosur, delegacione e personalitete për të marrë urimet e tyre.