Suad Bikliqi, Fatos Preteni dhe Herolind Jashari janë vetëm tre nga nëntë studentë që mes viteve 2008-2013, kishin studiuar në Akademinë Policore të Turqisë, të financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, raporton KTV.
Sipas marrëveshjeve individuale që kishin bërë me Ministrinë, “MPB-ja ose cilido pasardhës i saj, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së përfundimit të studimeve, duhet t’i ofrojë përfituesit kontratë të rregullt pune në kuadër të MPB-së apo agjencive të saj (Policisë së Kosovës) dhe jo më vonë se tre muaj kalendarikë pas marrjes së dëshmisë, për një periudhë prej më së paku 10 vjetësh”.
Por, edhe tre vjet pas kthimit nga Turqia, ata nuk janë punësuar nga MPB-ja, megjithëse këtyre treve së bashku me Bastri Hajdarin, Alban Thaçin, Drilon Hysenajn, Gurakuq Demakun, Kushtrim Sadikun dhe Çlirim Petrovcin, u ishin nostrifikuar diplomat nga Ministria e Arsimit, duke iu njohur grada “Specialist i Sigurisë”.
Moszbatimi i marrëveshjes nga MPB-ja i ka shtyrë ata që ta padisin këtë ministri.
Avokatja Fehmije Gashi, e cila përfaqëson pesë nga nëntë studentët, beson që gjykata do ta pranojë kërkesë-padinë dhe do t’ju japë të drejtë studentëve.
Gashi beson se kjo papërgjegjshmëri e MPB-së është rezultat i prirjes së ministrave, që të mos u përgjigjen përgjegjësive të trashëguara nga ministrat paraprakë.
Kohavisioni i ka dërguar e-mail MPB-së para dhjetë ditësh, për të sqaruar këtë rast, por kjo ministri nuk ka denjuar të përgjigjet.
Ndërkohë që rasti po shqyrtohet në gjykatë, mbetet të shihet se si do të arsyetohen mbi 1 milion dollarët e shpenzuar nga MBP-ja për këtë kuadër të specializuar që po pret.