29,11,2024

Agani: S’jam i interesuar ta ushtroj detyrën nën presion të aktakuzës

Must Read

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i akuzuar nga prokuroria e shtetit për shpërdorim të detyrës në mandatin e ish-ministrit të shëndetësisë ka thënë se “nuk do që ta ushtrojë detyrën nën presionin e akuzës” .

Ministri Agani, i ka deklaruar Radios Evropa e Lirë se “nuk do që ta ushtrojë detyrën nën presionin e akuzës” dhe se po bëhen bisedime me partnerët në qeveri për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.

Zyra e Kryeprokurorit të shtetit ngriti të mërkurën një aktakuzë ndaj ministrit Agani dhe 63 personave të tjerë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit thuhet se aktakuza është ngritur ndaj një grupi të mjekëve për shpërdorim të detyrës dhe fondeve për dërgim të pacientëve kosovarë për shërim jashtë vendit.

‘’Të vetmet deklarata përkitazi me këtë çështje, sa më përket mua, deri në përfundim të saj do t’i japin organet e drejtësisë. Çështja është bërë gjyqësore, dihet se për çka jam i akuzuar dhe e vetmja që tash më intereson është verdikti sa më i shpejtë dhe përfundimtar i organeve të drejtësisë gjyqësore mbi pafajësinë time të plotë.”

“Unë nuk jam i interesuar ta ushtroj detyrën nën presionin e akuzës dhe përfundimisht jam për atë që parimi i pastërtisë duhet me u respektu në çdo qeverisje. Jemi në bisedime edhe me partnerët e koalicionit, edhe me kryeministrin dhe të shohim çka do të ndërmarrë”, ka thënë Agani për REL.

Rasti i ministrit Agani, së bashku me një numër rastesh të tjera të dyshimit për shpërdorim detyre, janë bërë çështje dite në opinionin publik për shkak të mos largimit nga detyra që aktualisht kryejnë në institucionet publike.

Në një rast, një kryetar komune, është shpallur fajtor dhe vuan dënimin me burg, një tjetër kryetar i një komune tjetër në Kosovë e ka apeluar vendimin e gjykatës për fajësi dhe gjykimi duhet të ripërsëritet. Por, dorëheqjet në asnjërin rast nuk kanë ndodhur pavarësisht fillimit të hetimeve.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është cilësuar si beteja më e rëndë e institucioneve të vendit, ndërkohë që në bazë të vlerësimeve edhe të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore, opinioni publik ka pak besimin në organet e drejtësisë në vend.

Petrit Zogaj, nga organizata joqeveritare “Fol”, ka thënë se gjyqësia është e ndikuar politikisht dhe kjo i jep fuqi zyrtarit të akuzuar që të ndikojë mbi gjyqësinë. Sipas tij, të gjithë ata që janë të akuzuar duhet të japin dorëheqje, meqë nuk mund të udhëheqin me poste të larta shtetërore dhe duhet të mundësojnë zhvillimin e hetimeve pa pengesa.

‘’Ne edhe individualisht edhe si organizata kemi kërkuar që njerëzit që mbajnë pozita zyrtare publike dhe janë të akuzuar, do të duhej me u dorëheqë. Është e detyrueshme dhe e përgjegjshme para publikut, që një zyrtar kur akuzohet nga ana e prokurorisë , në mënyrë të menjëhershme të jap dorëheqje në mënyrë që hetimet të shkojnë pa u ndikuar politikisht”, ka thënë Zogaj.

Zogaj tutje shton se edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është i obliguar që t’i shkarkojë zyrtarët e akuzuar nga prokuroria.

‘’Është e papërgjegjshme nga ana e kryeministrit që brenda kabinetit të tij ka ministra të akuzuar dhe nuk merr vendim që t’i shkarkojë, si dhe duhet kërkuar nga kryetarët e komunave që të largohen nga pozitat e tyre. Ne e dimë që gjyqësia është e ndikuar politikisht , dhe kjo i jep fuqi zyrtarit të akuzuar që të ndikojë mbi gjyqësinë. Ne nuk po themi se kanë verdikte finale për korrupsion, por do duhej që të lëmë hapësirë prokurorisë që të bëjë hetime dhe gjyqësia të merr vendime”, ka thënë Zogaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte zotuar se të gjithë zyrtarët që mbajnë poste të larta publike dhe që janë nën hetime apo të dënuar nga gjykatat nuk do të lejohet të udhëheqin me institucionet e shtetit. Madje, ai kishte paralajmëruar largimin e personave nën hetime edhe nga listat zgjedhore.

Megjithatë, pavarësisht se janë nën hetime apo janë të dënuar nga gjykatat, funksionin e tyre vazhdojnë ta ushtrojnë disa kryetarë komunash, duke shfrytëzuar edhe disa mundësi ligjore që u lejojnë atyre ushtrimin e funksionit deri në përfundimin e të gjitha proceseve gjyqësore.

Sidoqoftë, disa figura të jetës politike e publike, jo rrallë kanë zgjedhur edhe ikjen nga Kosova, menjëherë pas shpalljes së nisjes së hetimeve ndaj tyre apo edhe pas shpalljes së aktgjykimit. Këto raste, kryesisht kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe krim të organizuar. (REL)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img