Ahmeti, i cili është në koalicion qeveritar me partinë e kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE, tha për emisionin Jeta në Kosovë, se federalizimi i Maqedonisë është punë e vështirë për t’u bërë për shkak të specifikave që ka ky shtet dhe karakterit demografik brenda tij.
Intervista e plotë me Ali Ahmetin do të transmetohet të enjten në RTK në emisionin “Jeta në Kosovë”.
“Nuk mund të bëhet federalizmi ku nuk di ku t’i vendosësh kufijtë, ku nuk e di ku fillon një komunitet dhe ku fillon komuniteti tjetër”, tha Ahmeti
Sipas tij për të diskutuar rreth federalizmit të Maqedonisë, duhet njohur shumë mirë gjeografinë si dhe të gjitha vendbanimet e atij vendi.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=SBAGfntNZRY?feature=oembed&w=640&h=360]
Ahmeti, i cili viteve të fundit, e sidomos pas zhvillimeve të vitit të kaluar në Kumanovë, është vënë në qendër të kritikave të opinionit shqiptar në Maqedoni e më gjerë, vazhdon t’i mbetet besnik Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të nënshkruar në verë të vitit 2001, me të cilin iu dha fund konfliktit ndërmjet forcave policore e ushtarake maqedone dhe guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të cilët i komandonte ai vetë.
“Zgjidhja më e mirë (është) vet Marrëveshja e Ohrit është që këto dy komunitetet të jenë të barabarta. Zgjidhje më të mirë politike dhe ligjore nuk ka për këtë vend”, ka deklaruar kreu i BDI-së në Maqedoni.
Ahmeti e sheh si problem federalizmin e Maqedonisë, pasi që sipas tij, një federatë apo konfederatë duhet pasur kufijtë e caktuar.
Këtë javë, në një intervistë për Kallxo.com, lideri opozitar shqiptar në Maqedoni, Ziadin Sela, i dha mbështetje idesë për federalizim.
Sipas Selës, federalizmi është zgjidhja më e mirë për Maqedoninë.