24,10,2025

Themelohet Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë

Must Read

Raportet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Austrisë dje u kurorëzuan edhe me krijimin e “Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë“, e cila do të forcojë dhe thelloj raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e kësaj shoqate e përshëndeti
Ramadan Ilazi, zëvendësministër për Integrim Evropian, i cili në fjalën e tij deklaroi se “ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar të marr pjesë në emër të Qeverisë së Kosovës. Krijimi i shoqatës së tillë rikonfirmon edhe njëherë raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona”.

8bdbcb5b-a88d-470d-8f38-1a1488023524

Zëvendësministri Ilazi, ndër të tjera tha së këto ditë do të mbahen mend në kujtesën tonë për suksesin e Kosovës. “Hyrja në fuqi e MSA-së, rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave për kosovarët, pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA janë vetëm disa nga sukseset e Republikës tonë dhe sot krijimi i  Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë do të ndihmoj që agjenda evropiane e Kosovës të avancohet edhe më tutje”.

Ndërsa, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë, z.Sami Ukelli, deklaroi se themelimi i Shoqatës është një “hap i rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Austrisë dhe Kosovës”.

Ambasadori Ukelli falënderoi Qeverinë e Austrisë dhe qytetarët austriakë për mbështetjen e vazhdueshme në përforcimin e Republikës së Kosovës.

7fcfe3b4-7ef3-4674-9f06-e6a5ad631326

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila njëkohësisht është zgjedhur nënkryetare e shoqatës, përmes një video-mesazhi përshëndeti iniciativën e ndërmarrë për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj për avancimin e proceseve integruese për Republikën e Kosovës.

Zëvendësshefi i Seksionit për Evropë në Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, z.Werner Almhofer, duke përshëndetur themelimin e shoqatës rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Austrisë për të përkrahur Kosovën, sidomos në procesin e integrimit evropian.

Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë është zgjedhur Lukas Mandl, deputet në Landin e Niederösterreich. Mandl tha se: “Një Republikë evropiane e Kosovës është në interes të popullit të Kosovës dhe të Evropës”. Ndër të tjera Mandl deklaroi se “ia vlen të punosh për Kosovën”, e cila ka një të ardhme të sigurt evropiane.

Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë është grup ndërpartiak që do të pranohet në organizatën ombrellë të grupeve të tilla miqësore PaN (Partner i të gjitha kombeve). Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë zgjodhi edhe organet drejtuese të saj, ku në Bordin Këshillues janë zgjedhur personalitete të njohura austriake si ish-zëvendës-kancelari dhe eksperti i Ballkanit Erhard Busek, ish-eurodeputeti Hannes Swoboda (SPO), Gjeneral-Brigade i Ushtrisë Federal Austriake Johann Luif, si dhe personalitete tjera nga politika, diplomacia, kultura, shkenca dhe mediat.

 

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident me tetë të lënduar në fshatin Sojevë të Ferizajt, përfshihen dy automjete

Një aksident trafiku me të lënduar ka ndodhur sot, më 23 tetor 2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img