Shkolla “Pesë dëshmorët” e fshatit Pleshinë ka kremtuar ditën e saj.
Në këtë manifestim i cili njëherësh përkujton edhe pesë dëshmorët e Pleshinës merrnin pjesë struktura udhëheqëse të komunës së Ferizajt,familjarë të dëshmorëve, prindër por edhe mësimdhënës të kësaj shkolle.
Hapjen e ditës së shkollës e bëri drejtoresha e kësaj shkolle Kimete Haxhimusa. Ajo foli për vështëristë dhe problemet me të cilat ballafaqohen por edhe me sukseset e vazhdueshme që kanë arritur nxënësit e kësaj shkolle.
Ndërkaq kryetar i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se kjo ditë është e shënuar për banorët e fshatit Pleshinë, ndërkaq ka uruar të gjithë nxënësit por edhe mësimdhënësit me rastin e ditës së shkollës së tyre.
“Është kënaqësi për mua të qëndroj në mesin tuaj, në mesin e një vendbanimi që ka dhënë Heroin Ahmet Hoxha dhe dëshmorë e martirë të shumtë në luftën e gjatë të popullit tonë për liri e pavarësi. Jemi afër përvjetorit të rënies së Ahmet Hoxhës dhe dëshmorëve të tjerë dhe sa herë i kujtojmë ata, ndiejmë përgjegjësi për shkallën e realizimit të idealeve të tyre, për një vend të lirë, demokratik e të përparuar, për një vend në të cilin mund të jetohet mirë e me dinjitet. Synimet dhe përpjekjet tona janë të orientuara në këtë drejtim. Për të bërë rrugë, qendra të mjekësisë familjare, ujësjellës, shkolla dhe objekte funksionale në shërbim të banorëve të kësaj ane”, ka thënë kryetari Svarqa.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj Gafurr Bytyqi.
Më këtë rast u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle. Nga fshati Pleshinë ranë për mos të vdekur kurrë dëshmorët: Ahmet Hoxha, Njazi Bajraktari, Naim Beka, Qamil Osmani dhe Ramush Shatrolli.